Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 24-të në elitën e futbollit kosovar, me disa rezultate që ndryshojnë hierarkinë e skuadrave në tabelë.
Prishtina ndalet me barazim ndaj Prishtinës së Re
Prishtina u ndal me barazim 1-1 ndaj Prishtinës së Re, në sfidën e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani vazhdon serinë negative, duke regjistruar ndeshjen e katërt radhazi pa fitore – dy barazime dhe dy humbje – çka e ka penguar ekipin të afrohet me kreun e tabelës.
Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, por vendasit konkretizuan një nga rastet e tyre në minutën e 37-të, kur Mario Ilievski realizoi një gol të bukur për epërsinë 1-0, pas asistimit të Blendi Baftiu.
Në pjesën e dytë mysafirët u shfaqën më kërkues dhe më këmbëngulës në sulm. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 73-të, kur Astrit Berisha shënoi me kokë pas një aksioni të mirë, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshim rezultati dhe skuadrat ndanë nga një pikë. Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 38 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon të mbetet në fund të tabelës me 23 pikë.
Ferizaj triumfon në Malishevë
FC Ferizaj shënoi fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj FC Malisheva me rezultat 2-1.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede arriti sukses të vlefshëm në garën për t’iu shmangur zonës së rrezikut, duke treguar se nuk dorëzohet në luftën për mbijetesë.
Ndeshja nisi me ritëm të mirë nga të dyja skuadrat. Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 12-të, kur Mevlan Zeka realizoi për 1-0. Megjithatë, mysafirët reaguan para përfundimit të pjesës së parë dhe barazuan shifrat në minutën e 35-të me anë të Ade Oguns, nga pika e bardhë, për 1-1.
Në fraksionin e dytë të lojës, të dy ekipet krijuan disa mundësi shënimi, por goli vendimtar erdhi në minutat shtesë, kur Ruben Silva-Richards shënoi për 2-1, duke siguruar tri pikë të rëndësishme për Ferizajn.
Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në vendin e tetë me 26 pikë, po aq sa KF Llapi në pozitën e shtatë, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e katërt me 37 pikë.
Drenica fiton ndaj Gjilanit
Tri pikë të arta këtë xhiro i ka arkëtuar edhe Drenica, e cila në udhëtim mundi Gjilanin me rezultat 1-0.
Drenicasit, që po luftojnë fuqishëm për t’i ikur fundit të tabelës, arritën një fitore të madhe në Gjilan.
Kjo fitore e ngrit Drenicën në vendin e parafundit me 25 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e pestë me 36 pikë.



Të tjera
Qytetarët thonë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë
Ulutash përsëritë thirrjen,përgjegjësit e Banjskës të dalin para drejtësisë
Përgatiteni lëkurën për motin e ftohtë