Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari i Fushë Kosovës – marrin mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli sot kanë vizituar Komunën e Fushë Kosovës dhe janë pritur nga kryetari Valon Prebreza, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës dhe kanë shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Fushë Kosovës

“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, tha Tasholli

“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, theksoi Hoxha.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza tha se do t’iu bëjë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit

“Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Prebreza.