Rasti “Veteranët”, është një nga rastet më delikate të pas luftës, kjo pasi përfshin hetimet e listave të veteranëve të luftës, të cilat përfshijnë një numër të madh të personave.
Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë mbi 53 mijë persona.
Prej tyre, gati 37 mijë janë përfitues nga skema për veteranët e luftës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Pas një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.
Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u shpallën të pafajshëm për akuzat e njëjta.
Gjykatësi Gazmend Bahtiri tha se Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza “pasi nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar”.
Veteranët e luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015.
Pas rritjes së fundit në janar të këtij viti për 20 për qind, pensioni i tyre mujor është 204 euro.
E në lidhje me këtë vendim dhe si do ndikojë ky në pastrimin e listave figurës së veteranëve të vërtetë, duke mos lënë persona të tjerë të cilësohen si ata, pa dhënë kontributet e caktuara në luftë, folën avokatët.
Një rast tejet delikat
Së pari, në lidhje me këtë vendim për rastin “Veteranët”, foli avokati Agron Curri.

Si fillim, ai tha se ky është një vendim i shkallës së parë dhe do trajtohet edhee nga gjykatat tjera me pas.
“Vendimi i shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si ‘Veteranët’ është një vendim i shkallës së parë dhe, si i tillë, ai do të jetë objekt trajtimi edhe nga gjykatat më të larta. Prandaj, çdo konstatim përfundimtar mbi drejtësinë ose drejtësinë e këtij vendimi do të mund të bëhet vetëm pasi të shterohen të gjitha mjetet juridike”.
Krahas kësaj, Curri potencoi faktin se ky është një nga rastet më delikate dhe më me rëndësi pasi bëhet fjalë për një pjesë të historisë së shtetit.
Në rast se vërtetohet përfundimisht akuza, atëherë ky do të ishte një nga një nga abuzimet më të rënda morale dhe institucionale që i është bërë luftës çlirimtare.
“Pa dyshim se kemi të bëjmë me një rast tejet delikat dhe me rëndësi të veçantë për opinionin publik dhe për historinë më të ndritur të vendit tonë. Nëse vërtetohen përfundimisht pretendimet për përfshirjen e personave që nuk kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lista të veteranëve të luftës, atëherë kemi të bëjmë me një nga abuzimet më të rënda morale dhe institucionale që i është bërë sakrificës dhe luftës çlirimtare. Dhe kjo është veçanërisht e rëndë sepse është bërë nga njerëz që, për ironi, kanë qenë vetë pjesë e asaj periudhe të ndritur”, shtjelloi ai.
Më tej, avokati tha se ky do të jetë një hap i madh për pastrimin e listave të veteranëve, ndonëse dëmi moral ndaj veteranëve të vërtetë është i pariparueshëm.
“Nëse vendimi i shpallur qëndron edhe në instancat më të larta, atëherë ai mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt pastrimit të listave të veteranëve, megjithëse ky hap nuk është i mjaftueshëm për të rikthyer besimin dhe dinjitetin e cenuar të atyre që vërtet kanë luftuar. Dëmi moral që u është bërë veteranëve të vërtetë dhe gjithë shoqërisë tonë është shumë i madh dhe i pariparueshëm”, përfundoi Agron Curri.
Halilaj: Nëse me Aktgjykim të formës së prerë vërtetohet fajësia e tyre, ky do të konsiderohej një krim, i cili duhet të përballet me forcën e Ligjit

Kurse, avokati tjetër, Gazmend Halilaj tha se dënimi për këtë vepër është i ulët, në krahasim me dëmin e shkaktuar.
Madjeai u shpreh se përveç dëmit të buxhetit, është cenuar edhe vlera sublime e luftës për liri.
“Parimisht vendim shpresëdhënës, që më në fund UÇK, nuk po mund të shërbej si strehë për t’u fshehur pafundësisht pas saj.
Shqetësues mbetet vendimi mbi sanksionin penal.
Ky sanksion është tejet i ulët dhe nuk e arrin qëllimin e dënimit siç parashihet me nenin 38 të Kodit penal.
Të apostrofuarit jo vetëm që kanë dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit, por e kanë cënuar rëndë vlerën sublime të luftës dhe luftëtarëve për liri”, theksoi ai.
Po ashtu, Halilaj e përmendi disa fakte se si persona të caktuar kanë marrë statusin e veteranit të luftës, ku madje disa janë edhe persona që kanë lindur gjatë luftës.
“Ua rikujtoj se 12 persona e kanë statusin e veteranit luftëtar të cilët kanë lindur në luftë.
Mijëra tjerë kanë hy në UÇK dhe kanë dezertuar. Dhjetëra të tjerë fare s’kanë qenë në luftë e as s’kanë dhënë asnjë lloj kontributi.
Një numër tejet i madh ka qenë në shtetet e perëndimit para, gjatë dhe pas luftës, ndërsa e gëzojnë statusin e veteranit luftëtar.
Nëse me Aktgjykim të formës së prerë vërtetohet fajësia e tyre, ky do të konsiderohej një krim, i cili duhet të përballet me forcën e Ligjit”.
Ndër të tjera, avokati shtoi se Gjykata duhet të vendosë në bazë të provave dhe fakteve, pa marrë parasysh emrat dhe pozitat që kanë të përfshirët në këtë rast.
“Emrat dhe pozitat, nuk duhet të jenë strehë për askënd.
Në Gjykatë, duhet të vendoset në prova, fakte dhe Ligj, si mundësia e vetme për të ecur para dhe për ta kthyer besimin tek sistemi.
Drejtësia ka çaluar përtej dekadave”, përmbylli Gazmend Halilaj.
Të tjera
Kryediplomati belg paralajmëron “krizë të madhe” nëse qeveria nuk ashpërson qëndrimin ndaj Izraelit
Kreu i ushtrisë izraelite i kërkon Netanyahut të pranojë propozimin për shkëmbimin e të burgosurve
Asfaltimi në “Rrugën A” ndez tensione, disa persona shoqërohen nga policia