Dokumente të klasifikuara zbulojnë detaje nga samiti Trump-Putin për Ukrainën

Përgjigjja do të jetë serioze

Presidenti rus Vladimir Putin u shfaq sfidues të enjten, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione të reja ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, në përpjekje për ta detyruar Kremlinin të ndalojë luftën në Ukrainë – një vendim që menjëherë rriti çmimet globale të naftës me 5%.

Sipas burimeve tregtare, sanksionet amerikane bënë që kompanitë shtetërore kineze të pezullonin blerjet afatshkurtra të naftës ruse, ndërsa rafineritë indiane, blerëset kryesore të naftës ruse të transportuar me anije, pritet të shkurtojnë ndjeshëm importet e tyre.
Sanksionet godasin gjigantët Rosneft dhe Lukoil, që së bashku përbëjnë mbi 5% të prodhimit global të naftës. Lëvizja shënon një kthesë të madhe për Trump-in, i cili vetëm javën e kaluar kishte paralajmëruar një samit me Putinin në Budapest për të diskutuar zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Megjithëse ndikimi ekonomik i menjëhershëm ndaj Rusisë mund të jetë i kufizuar, vendimi shihet si një sinjal i qartë i synimit të presidentit amerikan për të shtrënguar financat e Kremlinit dhe për ta shtyrë Moskën drejt një marrëveshjeje paqeje në luftën tashmë 3 vite e gjysmë të gjatë. Putin i cilësoi sanksionet si “akt armiqësor”, duke deklaruar se ato nuk do të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë ruse.
Ai theksoi se Rusia është lojtar kyç në tregun global të energjisë dhe paralajmëroi se një ulje e furnizimit me naftë do të rrisë çmimet botërore, duke goditur edhe SHBA-në.

“Kjo është një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Rusisë”, tha Putin. “Por asnjë vend dhe asnjë popull që respekton veten nuk merr vendime nën presion”.
Trump reagoi me ironi ndaj komenteve të Putinit, duke u thënë gazetarëve: “Jam i lumtur që ai e mendon kështu. Shumë mirë. Do t’ju njoftoj për këtë pas gjashtë muajsh”.

Në të njëjtën kohë, me Ukrainën që kërkon raketa me rreze të gjatë nga SHBA dhe aleatët evropianë, Putin paralajmëroi se çdo sulm i thellë në territorin rus do të sillte një “përgjigje shumë serioze, në mos shkatërruese”.

Presidenti amerikan deklaroi të mërkurën se ka anuluar samitin e planifikuar me Putinin, duke thënë se “nuk do të sillte rezultatin e dëshiruar”.

“E anuluam takimin me Presidentin Putin – thjesht nuk më ndjehej si gjëja e duhur. Nuk ndjehej sikur do të arrinim atje ku duhet”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se “mund ta zhvillojnë në të ardhmen”.

Putin komentoi më pas se Trump me shumë gjasë donte të thoshte se samiti ishte shtyrë, duke kujtuar se të dy udhëheqësit ishin takuar më parë në Alaskë, në gusht. Rusia ka përsëritur se kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës mbeten të pandryshuara, duke kërkuar lëshime që Kievi dhe vendet perëndimore i konsiderojnë si “dorëzim”.

Në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy diskutuan ndihmën financiare për Kievin. BE ra dakord të mbulojë nevojat ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, por shmangu vendimin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për një hua të madhe, pas kundërshtimeve të Belgjikës.

Zelenskiy e përshëndeti vendimin e SHBA-së për sanksionet, duke e cilësuar “shumë të rëndësishëm”, por theksoi se duhet më shumë presion mbi Moskën për të arritur armëpushimin. Ndërkohë, BE miratoi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që përfshin ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe sanksione të reja ndaj rafinerive kineze dhe bankave nga Azia Qendrore.

Blloku evropian ka ulur varësinë nga energjia ruse me 90% që nga viti 2022, por gjatë tetë muajve të parë të këtij viti ka importuar ende mbi 11 miliardë euro energji nga Rusia. LNG mbetet burimi më i madh i energjisë ruse në tregun evropian.

Sipas të dhënave të fundit, të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi janë ulur me rreth 21% në krahasim me vitin e kaluar. Këto të ardhura përbëjnë rreth një të katërtën e buxhetit shtetëror dhe janë burimi kryesor i financimit të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se sistemi fiskal rus mbështetet më shumë në taksimin e prodhimit sesa në eksportet, çka mund të zbusë efektet e menjëhershme të sanksioneve të reja.