Përkeqësimi i motit në Gjirin e Vlorës, paralajmërim për mjetet lundruese

Përkeqësimi i motit në Gjirin e Vlorës, paralajmërim për mjetet lundruese

Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës janë ndaluar të dalin në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Kapiteneria e Portit Vlorë bën me dije se vendimi merret për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë këtyre datave.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29.01.2026 duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se:

Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Vlorës.

/euronewsl.al/