Përplasja diplomatike: Deputeti gjerman largohet nga takimi me serbët për shkak të dezinformatave për Kosovën

Takimi mes Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të parlamentit serb dhe Thomas Rovekamp, kryetar i Komisionit për Mbrojtje në Bundestag, është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, ku tema kryesore ka qenë Kosova. Pasi u shqiptuan një sërë fjalësh të ashpra kundër Gjermanisë, Rowekamp u largua në mënyrë demonstrative nga salla.

Kryetari i komisionit serb, Milovan Drecun, deklaroi se “pavarësia e Kosovës” dhe sidomos “armatimi i Prishtinës” përbëjnë rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Serbisë.

Ai pretendoi se Kosova po armatoset “në mënyrë të paligjshme” dhe po formon aleanca ushtarake në rajon, duke përmendur bashkëpunimin e saj me Kroacinë dhe Shqipërinë, shkruan nova.rs.

Thomas Rovekamp i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Gjermania nuk është e përfshirë në “luftë hibride” e as nuk furnizon me armë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se nuk ekziston asnjë provë që vërteton pretendimet e armatimit të Kosovës dhe ftoi palën serbe të paraqesë çdo informacion që mund të ketë.

Ai shprehu zhgënjimin e tij për ngecjen e procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke kritikuar moszbatimin e marrëveshjeve të arritura – nga të dyja palët.