Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin. Të paktën kështu mendonte më 2 mars 2025, dhe e shprehte hapur në një diskutim të brendshëm në grupin në “Viber” të kryesisë së partisë së tij.
Me “Përshëndetje Avdullah”, e nis Abdixhiku mesazhin e tij në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme.
Kryetari Abdixhiku është i brengosur vetëm për votat e partisë, pohonte vetë me shkrim i pari i LDK-së.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.
Paraprakisht, derisa në QNR numërimi i votave të ardhura me postë po shkonte drejt fundit, Avdullah Hoti kishte kërkuar nga “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” t’i njoftonte se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij kishte evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje te çuditshme.
“Ju kam paralajmëruar me kohë dhe qartë se i presim 40 mijë vota – sipas raportimit të degëve dhe ekipit për mërgatë. Ju kam paralajmëruar me logjikë; dhe siç ka ndodhë dhe me zgjedhjet e kaluara, votat e mërgatës ndryshojnë kandidatët; prandaj mos shpallni fitore pa u numëruar të gjitha…”, i kundërpërgjigjej tutje Abdixhiku Hotit dhe të tjerëve në kryesi që denonconin, sipas tyre, vjedhjen e votave brenda partisë.
Nga ana tjetër, të hënën u publikua edhe përplasja në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka publikuar të hënën gazeta online reporteri.
Publikimi i këtij debati të brendshëm në grupin e Kryesisë qendrore në “Viber” ka nxitur të hënën mbrëma edhe reagimin e vetë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në Facebook, ai i quajti sulme të sinkronizuaran ndaj LDK-së “të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve” dhe sipas tij “nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. “Ato rikulmuan dhe sonte, në sinkron!”, shtoi Abdixhiku, vetëm pak minuta pasi gazeta online Reporteri.net paralajmëroi publikimin edhe të mesazhit të tij në vazhdën e serisë së publikimit të komunikimeve të brendshme të zhvilluara në grupin në “Viber” të LDK-së.
“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.
Tutje, Abdixhiku theksoi se ato që ai i quajti “temat e brendshme” janë diskutuar tashmë në Kryesi, duke iu referuar mbledhjes së 10 marsit e cila u zhvillua disa ditë pas akuzuave në grupin në “Viber”.
“LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet. Tri fitore në tri nivele – sepse vota jonë është e shenjtë dhe e drejtë! Prandaj dhe fitorja ligjore. Nga opozita, nga vendi i tretë, nga pozicioni i sulmuar nga të gjithë përnjëherë! E drejta megjithatë triumfon”.
Ndryshe, “skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë, e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.
“Nuk lejoj kurrë që mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët, të më vjedhjet nga ata qe me skema të shitblerjes se votave dhe të mbushjes industriale të tyre në postat e vendeve evropiane nga grupe dhe individë që me logjikën e tyre të veprimit nuk kanë të bëjnë asgjë me LDK-në” – thuhej nder tjera në mesazhin e Manajt.
Disa javë pas këtyre akuzave, të premten e 28 marsit, Shkëmb Manaj u rehatua me pozitën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, komunë e cila qeveriset nga Përparim Rama i LDK-së. Njoftimin e dha vetë i pari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Të tjera
Pastroni mushkëritë duke përdorur këto tre ushqime natyrale
Su*lmet e fundit të Iz*raelit ndaj vendeve të rajonit duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi
Dialogu Kosovë-Serbi, temë diskutimi mes Barduanit dhe ambasadores greke