Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Vetëvendosje bindshëm doli fituese, partitë tjera opozitare u ndanë shumë të zhgënjyera nga rezultati.
Madje PDK-ja kërkoi nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat e dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Mirëpo, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa njoftoi të premten vonë se e ka hedhur poshtë si të paafatshme kërkesën e këtij subjekti.
Mirëpo, çfarë pritet nga dy partitë më të mëdha opozitare tani pas zgjedhjeve, bashkëpunim apo përplasje.
A është e mundur një opozitë funksionale PDK–LDK?
Rezultati i LDK-së dhe PDK-së në zgjedhjet e fundit ka qenë zhgënjyes dhe, sipas analistit politik Agron Hoti, kjo humbje nuk erdhi papritur. Ai thekson se performanca e këtyre dy subjekteve opozitare ka qenë problematike edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025.
“Sigurisht që rezultati i LDK-së dhe PDK-së ka qenë zhgënjyes në këto zgjedhje, por nuk është se ka qenë më i mirë as në zgjedhjet e shkurtit 2025”, deklaron Hoti.
Sipas tij, gjatë gati një viti fushatë elektorale, mungoi çdo formë bashkëpunimi opozitar mes LDK-së dhe PDK-së, ndërsa opozitarizmi i tyre ishte i dobët dhe jo bindës për elektoratin.
“Për gjatë këtij gati një viti fushatë elektorale nuk është se ka pasur bashkëpunim opozitar mes LDK-së dhe PDK-së. Për më tepër, opozitarizmi i tyre ka lënë për të dëshiruar”, shprehet ai, duke shtuar se si pasojë, humbja në zgjedhje ishte e thellë.
“Bashkëpunimi mes LDK-së dhe PDK-së do të varet shumë nga reflektimi i LDK-së, nga ajo se a do të ketë lidership të ri apo do të vazhdohet me atë që është”, thekson analisti.
Ai shton se edhe PDK-ja pritet të reflektojë mbi rezultatin zgjedhor dhe rrugën politike që do të ndjekë në të ardhmen, ndërsa një faktor tjetër përcaktues për raportet opozitare do të jetë edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Në përfundim, Hoti paralajmëron se pa një opozitë të bashkuar, do të jetë e vështirë të ushtrohet kontroll real ndaj pushtetit.
“Pa opozitarizëm të bashkuar mes këtyre partive, do të jetë e vështirë të mbahet përgjegjëse një qeveri që nuk do të jetë e varur nga numrat”, përfundon ai.
Rezultati i dobët i LDK-së dhe PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte i pritshëm dhe nuk përbën befasi, vlerëson analisti politik Nexhat Bexheti. Sipas tij, qytetarët i kanë ndëshkuar këto dy subjekte politike për shkak të sjelljes së tyre pas zgjedhjeve dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
“Injorimi i formimit të Kuvendit dhe Qeverisë nga LDK-ja dhe PDK-ja i ka pezmatuar qytetarët e Kosovës. Pikërisht kjo injorancë e këtyre dy partive që dikur e kanë udhëhequr shtetin ka ndikuar që ato të ndëshkohen në zgjedhje”, deklaron Bexheti.
Ai thekson se qytetarët kanë krijuar bindjen se këto parti, edhe kur ishin në pushtet, nuk e kanë pasur prioritet zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit, por interesa të ngushta partiake.
“Qytetarët e kanë kuptuar se këto parti nuk kanë pasur platformë reale për zhvillimin e shtetit dhe se shtetin e kanë trajtuar si pronësi”, shprehet analisti.
Sa i përket një koalicioni të mundshëm opozitar mes LDK-së dhe PDK-së, Bexheti është skeptik, duke vlerësuar se një bashkëpunim i tillë vështirë se mund të realizohet.
“Koalicioni opozitar mes LDK-së dhe PDK-së nuk do të realizohet, sepse ende mbizotërojnë kapriçot, krenaria e dikurshme dhe dëshira për pushtet. Ato nuk po arrijnë të çlirohen nga mentaliteti i vjetër”, thotë ai.
Sipas tij, përplasjet dhe inatet brenda strukturave partiake do ta bëjnë të paqartë të ardhmen e këtyre subjekteve, ndërsa për një kohë të gjatë ato do të jenë të përqendruara më shumë në problemet e brendshme sesa në rolin opozitar.
Bexheti paralajmëron se mungesa e një opozite të fuqishme do të ketë pasoja direkte për zhvillimin e demokracisë parlamentare dhe për proceset integruese të Kosovës.
“Demokracia parlamentare nuk njeh parlament pa opozitë të fuqishme. Pa një opozitë të mirëfilltë, qeveria mund të neglizhojë objektivat dhe kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thekson ai.
Në përfundim, analisti vlerëson se do të ishte në interes të shtetit që LDK-ja dhe PDK-ja të tejkalojnë sa më shpejt përplasjet e brendshme dhe të konsolidohen si opozitë serioze.
“Parësore duhet të jenë detyrat ndaj shtetit dhe jo dëshirat brendapartiake. Vetëm kështu Kosova mund të ketë një opozitë të fuqishme dhe funksionale”, përfundon Bexheti.



Të tjera
Aspirina nuk rekomandohet për të moshuarit që s’kanë faktorë rreziku
Është në interes të Kosovës që të rizgjidhem presidente
Allegri për lojtarin shqiptar: “Duhet të kuptojë futbollin italian”