Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së vëllait të tij, Fadil Geci, i cili i quajti “të trushpëlarë” rreth 60% të votuesve të VV–Guxo–PSHDK.
Halili tha se kjo është fyerje ndaj shumicës së qytetarëve dhe gabim i rëndë politik, duke theksuar se politika nuk ndërtohet duke përçmuar popullin.
Shkrimi i Halil Gecit:
KUR 60% E POPULLIT QUHET “TRUSHPËLARË”, PROBLEMI NUK ËSHTË POPULLI
Deklarata e Fadil Gecit në tëvë1 hap debat të ashpër politik: fyerje ndaj shumicës së votuesve dhe tentativë për t’u paraqitur si i vetmi i “mençur” në skenën politike
Sot, në orën 12:00, në emisionin e transmetuar në tëvë1 vëllai im Fadil Geci deklaroi publikisht se rreth 60% e votuesve shqiptarë që kanë votuar koalicionin VV–Guxo–PSHDK janë “të trushpëlarë”. Kjo deklaratë nuk është vetëm e rëndë politikisht, por edhe fyese për shumicën e qytetarëve të këtij vendi.
Si vëlla më i madh, ndjej obligim moral t’i them publikisht se po gabon rëndë. Me një deklaratë të tillë, ai nuk po kritikon një parti apo një orientim politik, por po fyen një popull të tërë.
T’i quash 60% të shqiptarëve budallenj dhe të trushpëlarë, ndërsa veten ta paraqesësh si më të mençurin e shqiptarëve, nuk është qëndrim intelektual dhe as politik.
I them publikisht: prit edhe pak dhe koha do ta tregojë se kush është Abdixhiku në të vërtetë. Nëse ai del ashtu siç e përshkruan Fadili, dhe e ngrit LDK-n ,unë jam i gatshëm t’i kërkoj falje publike dhe të mos e quaj më “Dada Lume”, por “hero”.
Ndërkohë, Fadili zgjedh t’i quajë shqiptarët “të trushpëlarë”, vetëm për t’ia bërë qejfin Dades Lume.
Bajraktari i Llaushës nuk ka fyer askënd; përkundrazi, e gjithë Drenica e ka pasur pas vetes. Ndërsa ju, me këto veprime, në dy Drenicat me rreth 90 mijë banorë, nuk keni arritur t’i merrni as 900 vota. Në anën tjetër, Albini ka arritur t’i marrë mbi 10 mijë vota.
Kjo intervistë u pa nga një publik i gjerë dhe u kuptua qartë se bëhet fjalë për një interes të hapur politik: të fyesh shumicën e votuesve për t’u kapur pas “dimijave” të Dades Lume apo të një figure të caktuar politike është gabim i rëndë.
Kur gazetari e pyeti për 136 delegatët dhe shumicën e kryesisë që ishin kundër, përgjigjja ishte: “jo, jo, bashkë, bashkë, na duhet bashkimi”, duke u paraqitur si baba e gjysh i shqiptarëve dhe i LDK-së, madje duke marrë shembull edhe Nexhat Dacin.
LDK-ja e dikurshme dhe kjo e sotmja nuk do të ecë përpara pa u çliruar nga kultura e dhunës dhe nga individë që politikën e zëvendësojnë me grushta.
Figura si Armend Zemaj dhe rrethi i tij janë bërë simbol i kësaj fryme, ku mendimi ndryshe trajtohet me dhunë.
Rasti i qytetarit që u sulmua publikisht vetëm pse e quajti “hajn” është dëshmi se kjo qasje e dëmton rëndë jo vetëm LDK-në, por edhe vetë demokracinë.
Nëse LDK-ja nuk ndahet nga kjo frymë dhune, në zgjedhjet e ardhshme votat që do t’i marrë do të jenë aq sa janë mbështetësit e dhunës dhe të “bokserëve” të kësaj rruge. Kjo është e vërteta politike, jo fyerja ndaj popullit.



Të tjera
E prezantuan si Anita Muçaj Haradinaj – Anita reagon ndaj gabimit publik
Atlético Madrid në krizë? Simeone njofton se do të largohet pas sezonit
Rikthimi i mundshëm i Messit: Legjenda argjentinase pranë kthimit në klubin e origjinës