Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është krijuar mosmarrëveshje mes pozitës dhe opozitës lidhur me përfshirjen e disa projektligjeve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje në rendin e ditës.
LVV-ja kishte kërkuar që tetë projektligje të futeshin për shqyrtim, përfshirë nisma që lidhen me çmimet tavan, banimin social, sigurimet shëndetësore dhe organizimin e lojërave mesdhetare.
Megjithatë, kjo kërkesë nuk mori përkrahjen e partive opozitare dhe nuk u miratua ndryshimi i rendit të ditës.
Opozita vlerësoi se projektligjet nuk kanë karakter urgjent dhe se nuk duhet të trajtohen me procedurë të përshpejtuar, duke kërkuar respektim të procedurave normale parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se këto projektligje nuk janë urgjente për t’u shqyrtuar nga e premtja.
“PDK e konsideron se këto propozime nuk janë asnjë urgjente dhe si të tilla nuk e mbështet asnjë të trajtohet jashtë procedurave të rregullta. Kjo është vetëm tendencë për të krijuar agjendë të re të fushatës zgjedhore”, ka thënë ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur të paarsyeshme futjen në rend dite të këtyre projektligjeve.
“Projektligje që kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vinë për tu miratuar në procedurë të përshpejtuar. Temat janë tepër të rëndësishme por jo në periudhën për të cilën duhet të shqyrtohen, sepse kërkojnë të analizohen. Kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, u shpreh ajo.
E, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, derisa ka thënë se po ashtu nuk mbështet ndryshimin e rendit të ditës, ka kërkuar që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare.
“Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës çdo seancë. Jo që nuk e mbështesim por kjo kërkoj të mos kthehet në praktikë parlamentare”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të LVV-së theksuan se disa prej nismave janë të rëndësishme, veçanërisht ato që lidhen me procesin e integrimit në SEPA, duke i konsideruar si prioritete për ekonominë e vendit.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci gjatë prezantimit të projektligjeve, tha se dy prej tyre janë të rëndësisë primare sepse mundësojnë anëtarësimin në SEPA – Single Euro Payments Area.
Në replikë ndaj përfaqësuesve të partive opozitare të cilët thanë se Kuvendi duhet të ketë prioritete të tjera, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u shpreh se ekzistojnë afate kushtetuese dhe se institucionet duhet të adresojnë çështjet me interes publik brenda kohës së përcaktuar.
PDK, LDK dhe AAK mbajtën qëndrime kundërshtuese ndaj ndryshimit të rendit të ditës, duke theksuar se nisma të tilla nuk duhet të kthehen në praktikë të zakonshme parlamentare dhe kërkojnë më shumë shqyrtim para votimit.
Në fund, vetëm Grupi Parlamentar multietnik mbështeti përfshirjen e të gjitha projektligjeve në rend dite./



Të tjera
Bllokimi i rendit të ditës: Pse po shkakton debat radhitja e Rezolutës së opozitës në Kuvend?
Perspektiva të reja për kreun e shtetit: Si po e ndryshon Abdixhiku rrjedhën e bisedimeve?
Seanca nis me vonesë: Përplasja dhe dakordësia e papritur mes AAK-së dhe drejtuesve të Kuvendit