Është përuruar sot segmenti Prishtinë-Vushtrri me katër korsi, në kuadër të projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Të pranishëm në këtë përurim kanë qenë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha.
Kreyministri Kurti ka thënë se punimet në këtë projekt kanë përfunduar përbrenda afatit të plotë dyvjeçar, e që sipas tij, kjo tregon se ka pasur dinamikë të lartë të punës, efikasitet në realizim dhe cilësi maksimale në ekzekutim.
“Ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009, por nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapshtë. Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi 9.6 km është realizuar në bashkëpunim të institucioneve tona me Fondin Saudit për Zhvillim si dhe Fondin e OPEK-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çka i falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, tha Kurti pas prerjes së shiritit në këtë segment.
Ai tha se projekti është ndërtuar me standarde të larta dhe moderne dhe si i tillë, sipas tij, sjell siguri zhvillim e mundësi për të gjithë banorët e zonës, përfshirë kryeqytetin dhe komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
“Projekti është realizuar në dy vite dhe përfshin zgjerimin e rrugës në katër korsi, pastaj ndërtimin e bajpasit 4.4 km jashtë trasesë ekzistuese e që kalon nëpër shtatë fshatra dhe gjithashtu ka të ndërtuara edhe 8 nënkalime, 3 mbikalime dhe një urë. Kjo nënkupton më pak kohë në trafik, më shumë siguri, qarkullim më të lehtë dhe lidhje të reja që bashkojnë edhe më shumë rajonin verior të vendit tonë”, shtoi Kurti, shkruan KP.
Ai tha se qeveria është e angazhuar dhe përkushtuar që të sigurojë menaxhimin më të mirë dhe më efikas të investimeve publike, duke garantuar edhe transparencë edhe llogaridhënie, siç u shpreh, gjithnjë në dritën e përfitimeve maksimale për qytetarët e Kosovës.
Kurti ka uruar që Kuvendi të zhbllokohet sa më parë, në mënyrë që të ratifikohet marrëveshja e kredisë edhe për pjesën tjetër të projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
“Në këtë mandat të ri qeverisës qysh në mbledhjen e tretë e kemi marrë vendimin për procedim për ratifikim në Kuvendin e Kosovës të marrëveshje së kredisë për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, përmes Fondin Saudit për Zhvillim dhe qeverisë së Kosovës, për të proceduar sa më parë edhe me pjesën e mbetur të kësaj rruge e cila e lidh Prishtinën me Mitrovicën. Uroj që sa më parë Kuvendi i Republikës të zhbllokohet dhe ky projekt të nisë menjëherë”, nënvizoi ai.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha tha se ky projekt prej 9.6 km, me vlerë 25 milionë euro është një rrugë jashtëzakonisht moderne, që ka drenazhim në gjithë rrugën, me katër korsi. “Besoj që ky projekt lehtëson qarkullimin dhe ofron siguri për krejt qytetarët që qarkullojnë këtë rrugë. Këtu përfshihet edhe bajpasi që kryen dy funksione, në njërën anë lehtëson trafikun e në anën tjetër lidh edhe shtatë fshatra. Për këtë, ne, duhet të falënderojmë donatorët që janë Fondi Saudit për Zhvillim dhe Fondin të OPEK-ut për Zhvillim Ndërkombëtar”, tha Basha.



Të tjera
Zakonet që duhet t’i shtoni në rutinën tuaj për të qëndruar në formë
Presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për presidentin, duhet maturi
Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor