Pesë punonjës të një miniere kanadeze gjenden të vdekur në Meksikë

Pesë punonjës të një miniere kanadeze gjenden të vdekur në Meksikë

Autoritetet meksikane kanë konfirmuar se pesë nga dhjetë punonjësit e rrëmbyer muajin e kaluar nga një minierë në pronësi kanadeze në shtetin Sinaloa janë gjetur të vdekur.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se trupat u zbuluan në zonën rurale El Verde, ndërsa po punohet për identifikimin e pesë trupave të tjerë, raporton Aljazeera.

Autoritetet kanë arrestuar katër persona në lidhje me rastin dhe kanë deklaruar se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e krimit. Familjarët e viktimave janë njoftuar dhe trupat do të dërgohen në shtetet përkatëse.

Kompania kanadeze Vizsla Silver, që operon minierën e arit dhe argjendit Panuco pranë Mazatlanit, shprehu tronditje për ngjarjen dhe theksoi se përparësi mbetet gjetja e punonjësve të tjerë të zhdukur. Ngjarja ndodh në një kohë përshkallëzimi të dhunës së bandave në Sinaloa, një nga shtetet më të goditura nga krimi i organizuar në Meksikë.