Numri i të certifikuarve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tregon një nën-përfaqësim të vazhdueshëm të grave në nivel lokal dhe është më larg barazisë gjinore sesa në nivel kombëtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe monitorues të proceseve zgjedhore thonë se vërehet një rritje e ngadaltë e përfaqësimit të grave.
Edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pjesëmarrja e grave është larg 50 përqindëshit, e pak mbi kuotën 30 përqindëshin që e obligon ligji. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë Radio Kosovës se në numrin e përgjithshëm të të certifikuarve për zgjedhje vazhdojnë të dominojnë burrat.
“Për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërsa, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5 mijë e 419 kandidatë, prej të cilëve 3 mijë e 395 burra dhe 2 mijë e 24 gra”, thotë Elezi.
Kjo për zgjedhjet, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, shpërfaq dallimet e mëdha gjinore në listat e subjekteve politike.
“Subjektet politike nuk u kanë ofruar as hapësirën minimale grave të garojnë në zgjedhje. Në radhë të parë edhe në mungesë të një sanksionimi ligjor”, thotë Cakolli.
Politologia Arta Tahiri-Beqa thotë se partitë politike kanë propozuar gra në komunat ku qëndrojnë dobët dhe kanë pak mundësi për fitore.
“Këto propozime janë më shumë vetëm numër, sa për të thënë që ja kemi propozuar. Por asnjëra prej partive nuk është që ka nxjerrë një emër që mund të jetë një nga kandidatët që mund të shkojë në balotazh”, thotë Tahiri-Beqa.
“Tradicionalisht burrat kanë qenë ata që kanë përfaqësuar shoqërinë, përfshirë gratë. Fatkeqësisht kjo traditë po vazhdon”, thotë Rrustemi, për Radio Kosovën.
Deri më tani vetëm dy gra, në Gjakovë e Graçanicë, kanë arritur të fitojnë një mandat për kryetare të komunës, përderisa vetëm në dy raste të tjera gratë kanë arritur të shkojnë në balotazh.



Të tjera
Qytetarët anembanë Kosovës të angazhuar për fitoren e Vetëvendosjes
Foton e profilit duhet t’ua zgjedhë dikush tjetër
Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie dhe loja praktikisht mbaron