Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se më 22 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, Stacioni Policor Pejë është informuar për një plagosje me armë zjarri që kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Gjikolli” në Pejë.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë hasur viktimën, e cila ishte e plagosur nga arma e zjarrit. I lënduari është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor.
I dyshuari i rastit ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP-Pejë kanë zhvilluar veprime intensive për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, ishte lëshuar edhe kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sot, më 02 janar 2026, rreth orës 12:00, i dyshuari është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit dhe tre fishekë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.



Të tjera
Katër gabime që bëni në mëngjes
Fluks në pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë
Vikendi me mot të vranët dhe reshje shiu, borë e dobët në viset malore