Presidenti serb thotë se ushtria kroate është “jashtëzakonisht e fortë”, ndërsa pretendon se Serbia ka epërsi ndaj vendeve të rajonit në armatim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar të premten marrëveshjen e Kroacisë me Gjermaninë për blerjen e tankeve Leopard, duke deklaruar se ekziston një kërkesë e madhe për armë në rajon, në Evropë dhe në botë, ndërsa Kroacia, sipas tij, po “armatoset me një shpejtësi dramatike”.
Gjatë një vizite në qytetin e Nishit, Vuçiq tha se Serbia është e vetëdijshme për masat që duhet të ndërmarrë për të ruajtur paqen në rrethanat aktuale të sigurisë.
“Ushtria kroate është një forcë jashtëzakonisht e fortë dhe e respektueshme në rajon që po armatoset me një ritëm dramatik. Nuk na pëlqen të flasim shumë, por e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të qenë një ‘arrë e fortë’ për të gjithë ata që bëjnë aleanca ushtarake pa parime në rajon dhe në mënyrë që të kemi gjithmonë efekt parandalues, për të ruajtur paqen për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të shmangim konfliktet përgjithmonë”, tha Vuçiq, sipas raportimit të mediumit kroat index.hr.
Ai pretendoi se situata në Ushtrinë Serbe është “e pakrahasueshme me atë që ishte para 10 vjetësh”, duke theksuar se Serbia ka bërë përparime të mëdha në modernizimin e kapaciteteve të saj ushtarake.
I pyetur nëse Serbia mund të krahasohet me vendet tjera të rajonit për nga armatimi, Vuçiq u përgjigj: “Ne jemi shumë përpara konkurrencës, thjesht qëllimet tona janë më të larta se konkurrenca”, deklaroi presidenti serb.



Të tjera
Këto janë përdorimet e jashtëzakonshme të Aloe Verës
5.8 milionë euro për Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë
Emisari francez merr pjesë konferencën për dialogun Kosovë-Serbi