Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë

Po avokojmë për çështjen e Luginës së Preshevës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një vizite pune që ka për qëllim avokimin ndërkombëtar të çështjes së Luginës së Preshevës.

Në një deklaratë publike, Kamberi ka bërë të ditur se kjo vizitë është pjesë e një programi të koordinuar me përfaqësues të tjerë nga Lugina e Preshevës, mes tyre Ragmi Mustafi dhe Ragmi Mustafa i PDSH-së, me synimin për të ndërkombëtarizuar pozitën e vështirë të shqiptarëve në Luginë dhe për të denoncuar shkeljet e të drejtave të tyre.

Sipas Kamberit, gjatë qëndrimit në SHBA janë paraparë takime me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, përfshirë: Kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së; Senatorin Cory Booker, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-së; Kongresmenin George Latimer, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut “Tom Lantos” në Kongresin Amerikan; si dhe ish-kongresmenin Joe DioGuardi dhe anëtarët e Bordit të Albanian American Civic League.

Po ashtu, delegacioni pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan në Dallas dhe Nju Jork, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të ngritur më tej zërin e shqiptarëve të Luginës në arenën ndërkombëtare.

Kamberi ka kujtuar se kjo vizitë vjen vetëm katër muaj pas asaj të suksesshme në Berlin, ku delegacioni nga Lugina zhvilloi takime në Bundestag dhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, duke vazhduar kështu përpjekjet për ta mbajtur çështjen e Luginës së Preshevës në vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.

Në fund të deklaratës, deputeti shqiptar ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për bashkëpunimin me Ligen Qytetaro-Amerikane (Albanian American Civic League), Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) dhe organizatën WIAI, të cilat, sipas tij, po kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohet fuqishëm edhe në SHBA.