OKB: Më shumë se gjysma e tokës bujqësore të Gazës është dëmtuar

Po punojmë për arritjen e një armëpushimi 60-ditor në Gaza

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, zhvilloi të hënën një bisedë telefonike me të dërguarin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për të diskutuar përpjekjet për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës.

Telefonata vjen pasi ministri i Jashtëm egjiptian deklaroi se Kajro po punon për një armëpushim 60-ditor në Gaza.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme egjiptiane, Abdelatty theksoi nevojën për rivendosjen e armëpushimit në Gaza dhe lirimin e pengjeve, si një parakusht për ruajtjen e armëpushimit dhe realizimin e vizionit të presidentit Donald Trump për vendosjen e paqes gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme.

Të dielën, Abdelatty deklaroi se Kajro po punon për një marrëveshje të re, që përfshin një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të disa pengjeve izraelite dhe hyrjes së menjëhershme të ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.

Gjatë bisedës me Witkoff, ministri egjiptian theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e lejimit të pandërprerë të ndihmave humanitare drejt Gazës.

Ai shtoi se Egjipti synon të presë një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës, sapo të arrihet një marrëveshje armëpushimi, në bashkëpunim me qeverinë palestineze dhe OKB-në.

Më 19 janar, Egjipti, Katari dhe ShBA-ja ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi me tre faza midis Izraelit dhe Hamasit, që synonte t’i jepte fund luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza.

Megjithatë, marrëveshja u prish më 18 mars, kur Izraeli rifilloi ofensivën ndaj enklavës./trt