Policia apelon për kujdes të shtuar gjatë ditëve me ngrica

Policia apelon për kujdes të shtuar gjatë ditëve me ngrica

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar, me qëllim të ruajtjes së sigurisë në rrugë dhe në hapësirat publike.

 

Policia thekson se çdo veprim i pakujdesshëm në rrugë, trotuare dhe hapësira të tjera publike mund të paraqesë rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht për këmbësorët dhe pjesëmarrësit në trafik.

Një apel i veçantë u drejtohet pronarëve të autolarjeve, të cilët gjatë pastrimit të veturave duhet të kenë kujdes të shtuar në derdhjen e ujërave në rrugë dhe trotuare, pasi këto veprime shkaktojnë krijimin e ngricave dhe rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë publike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim me organet kompetente komunale, njofton se do të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatojë masat ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në fuqi.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe respektim të rregullave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së rendit publik.