Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët, kanë dhënë detaje lidhur me arrestimin e sotëm të pesë personave në Skenderaj, të dyshuar për krime lufte.
Në komunikatë bëhet e ditur se arrestimi lidhet me vrasjen e gjashtë civilëve në fshatin Syriganë të Komunës së Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Operacioni është kryer në kuadër të planit operativ “Syrigana”, i zhvilluar në gjashtë lokacione të ndara, pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicë e Veriut.
Gjatë bastisjeve në objektet e banimit dhe ato përcjellëse janë konfiskuar: një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm, një armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm, dy karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm, një pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.
“Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës së bashku me Prokurorinë Speciale, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë (6) civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998.
Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin special, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “Syrigana” në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë (5) në Komunën e Skenderajt dhe një (1) në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar.Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar:
• 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
• 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
• 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
• 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
• Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave”, thuhet në komunikatë.
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.



Të tjera
Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president
Kurti takohet nesër me Abdixhikun
Gjashtë fobitë kryesore të njeriut modern