Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, do të realizojë sot një ushtrim të gjerë sigurie në kryeqytet.
Aktiviteti do të zhvillohet nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe përfshin zonën përreth objektit të Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria.
Sipas njoftimit zyrtar, ushtrimi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë dhe rritjen e gatishmërisë për menaxhimin e situatave emergjente dhe incidenteve të mundshme në vend.
“Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektivitetit dhe efikasitetit të zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë ushtrimit pritet prani e shtuar e Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, si dhe përdorimi i mjeteve policore, përfshirë altoparlantë, sirena dhe pajisje të tjera logjistike.
Autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë vetëm për një ushtrim dhe jo për reagim ndaj ndonjë incidenti real.
Policia kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët, sidomos nga pjesëmarrësit në trafik, të cilëve u rekomandohet të shmangin lëvizjen në zonën përreth Ambasadës Amerikane gjatë orëve të ushtrimit, për shkak të ndërprerjeve të përkohshme të qarkullimit./Telegrafi.



Të tjera
Kandidimi i motrës së Donika Kadajt me koalicionin Vakat, uzurpon vendet e boshnjakëve
Kosova ka kompensuar vik*timat e kr*imit me 1 milionë euro në vitet e fundit
2,076,290 qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 28 dhjetorit