Policia gjen armë në një shtëpi të braktisur në Zveçan

Policia gjen armë në një shtëpi të braktisur në Zveçan

Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në një shtëpi të braktisur në fshatin Rudar i Vogël të komunës së Zveçanit.

 

Sipas njoftimit zyrtar, më 25 janar 2026, rreth orës 11:20, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë vepruar pas informatave të pranuara nga qytetarët se në një lokacion të caktuar mund të gjendeshin armë dhe municion. Menjëherë pas daljes në terren dhe kontrollit të një shtëpie të pabanuar, policia ka gjetur dhe konfiskuar nëntë (9) granata dore, 538 fishekë si dhe tre (3) karikatorë për armë automatike.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka bërë trajtimin dhe sigurimin e mjeteve shpërthyese pa rrezik për qytetarët dhe ambientin përreth.

Të gjitha veprimet policore janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me rastin, deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin emergjent 192.