Ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe një nga figurat më me përvojë të CDU-së gjermane, Elmar Brok, ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mënyrën se si po reagon ndaj protestave të vazhdueshme në vendin e tij. Në një intervistë për Deutsche Welle, Brok zbuloi një deklaratë të pazakontë që Vuçiq i kishte bërë në të kaluarën: “Ai më ka thënë njëherë se zemra e tij është në Moskë, por mendja në Bruksel. Tani, këtë të dytën nuk po e shoh më fare.”
Brok shprehet se është thellësisht i zhgënjyer nga drejtimi që ka marrë Serbia nën udhëheqjen e Vuçiqit dhe se reagimi i tij ndaj protestave po dëmton seriozisht perspektivën evropiane të vendit.
“Vuçiq po i bën dëm vendit të vet. Në këtë mënyrë, Serbia po humbet një mundësi historike për t’u afruar me Bashkimin Evropian dhe për të bashkuar të paktën pjesërisht Ballkanin Perëndimor,” deklaroi Brok.
Ai gjithashtu kritikoi heshtjen e Brukselit ndaj situatës në Serbi, sidomos pas përdorimit të dhunës ndaj protestuesve. Sipas tij, diplomatët evropianë nuk duhet të heshtin përballë shkeljes së të drejtave demokratike në rajon.
“Kur diplomacia nuk thotë më të vërtetën, nuk ndihmon aspak për përparimin e rajonit,” theksoi Brok.
Ai bëri thirrje që partitë konservatore evropiane, përfshirë CDU-në gjermane, të rrisin presionin mbi Vuçiqin që kriza politike në Serbi të zgjidhet në mënyrë demokratike.
“Duhet të jemi më të qartë. Ka politikanë në CDU dhe EPP që po dërgojnë mesazhe të forta, por kjo linjë duhet ndjekur edhe më qartë nga udhëheqja,” shtoi ai.
Në fund, Brok theksoi se nuk është realist të flitet për zgjerim të shpejtë të BE-së pa reforma të brendshme, por shtoi se qytetarët e Ballkanit duhet të shohin përparim konkret, përmes integrimit ekonomik dhe masave të ndërmjetme si hyrja në zonën Shengen.
Të tjera
Me presidenten Osmani diskutuam për partneritetin e ngushtë Kosovë-Mbretëri të Bashkuar dhe për formimin e Kuvendit
Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake
Bislimi shpreh mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që po i bën Kosovës