Politologu dhe analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë Guxo

Politologu dhe analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë Guxo

Politologu dhe analisti Blerim Gashi i është bashkuar Partisë Guxo para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Lajmin e bëri të ditur partia përmes një komunikate për media, ku Gashi është vlerësuar si një emër i njohur për përballjen pa kompromis ndaj propagandës dhe dezinformimit, si dhe për qasjen e qartë dhe profesionale në debatin publik dhe politik.

“Me përvojë shumëvjeçare në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, Blerim Gashi ka dëshmuar se guximi intelektual dhe integriteti personal janë shtylla themelore të qeverisjes së mirë. Angazhimi i tij i vazhdueshëm për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare. Përmes analizave të drejtpërdrejta, shkrimeve të guximshme dhe paraqitjeve publike me qëndrime të qarta, ai ka kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe në promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve, e jo interesave të ngushta”, thuhet në komunikatë.

Partia Guxo ka theksuar se me përfshirjen e Gashit, së bashku me profesionistë të tjerë, koalicioni Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK synon qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik./