Takimi i 17 shtatorit 2020 në mes të përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, është incizuar ‘ilegalisht’ nga Serbia.
Një audio- incizim i transmetuar në mediat e Kosovës, dëgjohet ndihmës i drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i cili incizon fshehurazi/ përgjuar për llogari të BIA-s serbe.
Në incizim dëgjohet fillimisht një komunikim në serbisht me frazën “a je gati? Po… incizo”, që nënkupton nisjen e një incizimi të fshehtë.
Më tej në takim, dëgjohet një burrë që fton Igor Popoviqin për të prezantuar, ndërsa prezantimi zhvillohet më pas nga një përfaqësuese me emrin Nevena.
“Do të fillojë me temën e parë, fushëveprimi dhe struktura e çështjes së pronave. Në terme të gjera, çështja e pronave mbulon pronat e Republikës së Serbisë, të operatorëve ekonomikë të Republikës së Serbisë, në territorin e provincës autonome të Kosovës ndërmarrjet që janë pronë e shtetit, kompani dhe korporata private që i takojnë serbëve dhe popullatës jo-shqiptare në Kosovë dhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe. Niveli politik i zgjidhjes së çështjes së pronave do të nënkuptonte dialog të nivelit të lartë që do të arrijë vendime përfundimtare dhe ligjërisht obliguese në të gjitha rastet, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivele më të ulëta”, dëgjohet të thotë në anglisht përfaqësuesja serbe para zyrtarëve të BE-së”.
Pas përfundimit të prezantimit, incizimi vazhdon me biseda të lira në ambientet e ndërtesës ku po mbahej takimi, përfshirë diskutime mbi kufizimet e pandemisë dhe oraret e punës.
“Shpresojmë që të dielën që këto rregulla të COVID-it do të zhduken mrekullisht”, dëgjohet të thotë një grua pas takimit.
Në një pjesë tjetër të audio-incizimit, dëgjohet vetë Igor Popoviq duke komentuar: “Mendoj se deshën të eksplodojnë kur e dëgjuan atë (prezantimin)”. Ndërsa njëra nga bashkëbisedueset e pyet: “A ia dolët krejt ta merrni?”, me tjetrën që shton “e aktivizuam”. Sipas Popoviqit, rreth “dhjetë minuta” sa ka zgjatur takimi, e kanë incizuar të tërin.
Gjersa Popoviq u arrestua nga autoritetet e Kosovës dhe po hetohet për veprën penale
Ky skandal diplomatik nuk është komentuar nga zyrtarët e BE-së, gjersa “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, vepra e tij e përgjimit është duke kaluar në heshtje nga zyrtarët e BE-së.
Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se vepra e incizimit të fshehtë duhet ta shqetësojë Brukselin më shumë sesa të nxisë kritika ndaj institucioneve të Kosovës për arrestimin dhe paraburgimin e tij.

Sipas tij, përgjimi i Popoviqit përbën një shkelje të rëndë të normave diplomatike dhe vë në rrezik kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësuese.
“Lidhur me rastin e incizimit të fshehtë nga Igor Popoviq, ndihmës i drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, gjatë një takimi zyrtar në 2020, ky akt ngrit pyetje serioze. Padyshim, kjo duhet të shqetësojë Brukselin më shumë sesa të nxisë kritika ndaj institucioneve të Kosovës për arrestimin dhe paraburgimin e Popoviqit. Një përgjim i tillë i organizuar për llogari të BIA-s serbe përbën një shkelje të rëndë të normave diplomatike dhe vë në rrezik kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësuese. Fokusimi jashtë mase te veprimet e Kosovës duket i pabalancuar pa një dënim të qartë të kësaj ndërhyrjeje serbe. Mendoj se, edhe pse BE-ja nuk ka reaguar zyrtarisht dhe publikisht deri tani, nuk ka asnjë dyshim se kjo çështje do të jetë në tryezën e BE-së gjatë takimit të ardhshëm BE-Serbi. Besoj se, nëse ky përgjim është i vërtetë dhe nuk është ndonjë operacion diversioni, BE-ja do të marrë masat e duhura që një gjë e tillë të mos përsëritet dhe do të ketë më shumë dyshime ndaj palës serbe”, deklaron Gjanaj për “Bota sot”.
Ai përmend faktorët që ndikojnë në reagimin e dobët të këtij skandali diplomatik.
“ Reagimi i dobët ndaj këtij skandali diplomatik shpjegohet kryesisht nga disa faktorë. Së pari, ky përgjim nuk është diçka që ka ndodhur kohët e fundit, por i përket vitit 2020. Që nga viti 2020, shumë zhvillime, për të mos thënë kriza, të tjera rajonale ose globale, si lufta në Ukrainë, genocidi palestinez, lufta tregtare SHBA-BE dhe pushimet verore, padyshim që e zvogëlojnë dukshmërinë e saj mediatike. Më tej, një përmbajtje politike mund të ketë për qëllim ruajtjen e dialogut të brishtë Kosovë-Serbi, edhe me koston e injorimit publik të shkeljeve të tilla. Në fund, mund të them se dinamikat e pushtetit brenda BE-së, ku Serbia shpesh përfiton nga një intelegjencë strategjike, mund ta kenë minimizuar këtë rast. Këtu po flas vetëm për reagimet publike ndaj këtij rasti, sepse pas skenave, vëmendja ndaj Serbisë nuk do të mungojë”, shprehet politologu.
Në anën tjetër, nga Gjermania kanë thënë se janë duke monitoruar nga afër rastin e arrestimit të zyrtarit serb, Igor Popoviq, nga autoritetet e Kosovës dhe po ashtu arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, nga autoritetet serbe.
Për Spahiun, ministri gjerman, Gunther Krichbaum, kërkoi edhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, sipas të cilave veprat penale që kryhen në Kosovë duhet të zhvillohen procedurat ligjore në Kosovë.
“Ne e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për këtë. Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Europian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmës Drejtorit të Serbisë Igor Popoviq në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”.
“Gjithashtu, po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë që thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, u shpreh ministri.
Politologu Ramadan Gjanaj, thotë se rastet e Popoviqit dhe Spahiut nuk duhet të vihen në të njëjtën peshore.
Sipas tij, Gjermania i ndjek të dyja për shkak të stabilitetit rajonal.
“Sa i përket ndjekjes nga Gjermania të rasteve të arrestimit të Popoviqit dhe Arbnor Spahiut në Serbi, këto situata nuk duhet të vihen në të njëjtën peshore. Arrestimi i Popoviqit nga Kosova bazohet në akuza për aktivitete subversive dhe nxitje të urrejtjes në Kosovë, që prekin sigurinë kombëtare. Ai i Spahiut, i dyshuar për përfshirje në rastin e Banjskës, ka një kontekst penal individual, sigurisht të politizuar. Megjithëse Gjermania i ndjek të dyja për shkak të stabilitetit rajonal, besoj se autoritetet gjermane bëjnë analiza të ndara dhe thelbësore, duke ditur se implikimet gjeopolitike të njërës ndryshojnë padyshim nga motivet e brendshme të tjetrës”, shton Gjanaj.
Të tjera
LVV në Artanë distancohet nga kandidati për asamblist që u arr*estua
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli