Pas njoftimit që bëri vitin e kaluar, tani Polonia u tërhoq nga Konventa e Otavës për ndalimin e minave tokësore, dhe po shqyrton vendosjen e minave në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Pas tërheqjes nga Konventa e Otavës Polonia dëshiron ta mbrojë kufirin e saj lindor me mina kundër njerëzve dhe mina antitanke. “Këto mina janë një nga elementët më të rëndësishëm të strukturës mbrojtëse që po ndërtojmë në krahun lindor të NATO-s, në Poloni,” tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Pavel Zalevski. Sipas Zalevskit, vendi i tij duhet të mbrohet nga Rusia, e cila “ka qëllime shumë agresive ndaj fqinjëve të saj”.
E ashtuquajtura Konventa e Otavës është një traktat ndërkombëtar i vitit 1997 që ndalon përdorimin e minave tokësore. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë nënshkruar kurrë këtë marrëveshje.
Mbrojtje në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë
Polonia e kishte ratifikuar fillimisht Konventën në vitin 2012 dhe pas kësaj i shkatërroi rezervat e saj të minave. Megjithatë pas fillimit të luftës pushtuese ruse kundër Ukrainës, Polonia njoftoi në vitin 2025 se do të tërhiqet nga marrëveshja, së bashku me Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Ukrainën.
Zalevski tha se Polonia do të porosisë mina kundër njerëzve dhe mina anti-tankeve nga kompani vendase për të mbrojtur kufirin me rajonin rus të Kaliningradit dhe meBjellorusinë.
Minat do të vendosen vetëm nëse ekziston një rrezik real i një agresioni rus. Kryeministri Donald Tusk deklaroi se Polonia së shpejti do të jetë në gjendje të minojë kufirin e saj lindor brenda 48 orësh.



Të tjera
A do t’ia mundësojë LDK-ja sërish Vjosa Osmanit të bëhet presidente?- teegon Lushaku
Reagimet nga Prishtina për “Sarajevo Safarin” iritojnë të implikuarin Vuçiq
Rreth 70% e familjeve në Prishtinë të pakënaqura me ngrohjen e shtëpive