Amnesty International: Postimi i Trump “mund të përbëjë kër*cënim për gje*nocid”

Postimi i Trump “mund të përbëjë kër*cënim për gje*nocid”

Ka reaguar Agnes Callamard, drejtoresha e Amnesty International, lidhur me deklaratat kërcënuese të Donald Trump ndaj Iranit, ndërsa afati i tij për Ngushticën e Hormuzit po afrohet, transmeton Kosova Post.

“Vetë fakti që Donald Trump bën kërcënime të tilla apokaliptike, përfshirë paralajmërimin për t’i dhënë fund ‘një qytetërimi të tërë’, zbulon një nivel tronditës mizorie dhe mosrespektimi për jetën njerëzore”, deklaroi Callamard.

Duke theksuar se sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile janë të ndaluara, ajo shtoi se “kërcënimi për shfarosje dhe shkatërrim të pariparueshëm nga presidenti amerikan cenon në mënyrë të hapur rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, me pasoja potencialisht katastrofike për mbi 90 milionë njerëz”.

Sipas saj, kjo retorikë “mund të përbëjë edhe një kërcënim për kryerjen e gjenocidit”, i cili përkufizohet nga Konventa e OKB-së për Gjenocidin dhe Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare si akte të kryera me qëllim shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Në fund, Callamard i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të ndërhyjë urgjentisht për të shmangur një katastrofë të afërt dhe të theksojë qartë se nxitja, urdhërimi apo kryerja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit sjell përgjegjësi penale individuale sipas ligjit ndërkombëtar”.