Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit diskutuan të premten marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale në një takim të mbajtur në Stamboll, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Në takim morën pjesë ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe zëvendësministrja e Jashtme e Serbisë, Nevena Jovanoviq, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.
Duke shprehur kënaqësinë për mbajtjen e takimit të dytë të Platformës së Paqes në Ballkan në Stamboll, Erdogan falënderoi përfaqësuesit e vendeve për kontributet e tyre.
Erdogan theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti, si dhe konsultimet e zhvilluara me një ndjenjë përgjegjësie rajonale.
Duke vënë në dukje se si bota ashtu edhe rajoni po përballen me sfida të ndryshme, Erdogan tha se forcimi i solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes vendeve anëtare të Platformës së Paqes në Ballkan ka marrë rëndësi të veçantë.
Ai nënvizoi domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët “me një qasje që mëson nga dhimbjet e së kaluarës dhe synon drejt së ardhmes” në Ballkan, duke përmendur gjithashtu përpjekjet e Turqisë për të zbutur dhe për t’i dhënë fund pasojave të paqëndrueshmërisë në rajon, si dhe vazhdimin e nismave të përqendruara në paqe në shumë vende, veçanërisht në Ukrainë, Gaza dhe Siri.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan, drejtori i Komunikimeve Burhanettin Duran, këshilltari kryesor i presidentit Akif Cagatay Kilic, si dhe zyrtarë të tjerë.



Të tjera
Arabia Saudite do t’ia mundësojë ‘largimin’ Viniciusit nga Reali
Mënyra se si të çliroheni nga ankthi
Në 21 komuna përfundon rinumërimi i fletëvotimeve