Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka njoftuar ndërprerjen e të gjitha formave të bashkëpunimit ushtarak me Izraelin, duke e arsyetuar vendimin me shqetësimet për rolin e Izraelit në modernizimin e forcave të armatosura të Serbisë, transmeton Kosova Post.
Në një deklaratë publike, Milanović tha se Serbia po blen armë në shkallë të gjerë dhe se në integrimin e sistemeve të reja ushtarake është e përfshirë industria dhe shërbimet izraelite të sigurisë.
“Serbia po blen armë në një shkallë masive, dhe kush po i integron të gjitha këto sisteme? Izraeli. Industria ushtarake izraelite dhe shërbimet e sigurisë izraelite”, deklaroi ai.
Sipas presidentit kroat, vendimi për ndërprerjen e marrëveshjeve për armë, trajnime dhe forma të tjera bashkëpunimi me Izraelin është marrë në funksion të mbrojtjes së sigurisë kombëtare të Kroacisë. Ai theksoi se kjo nuk ka të bëjë me qëndrime ideologjike apo fetare, por me vlerësime strategjike të sigurisë.
Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në rajon, në sfondin e zhvillimeve gjeopolitike në Evropën Lindore dhe Ballkan, si dhe të modernizimit të vazhdueshëm të ushtrisë serbe. Serbia vitet e fundit ka investuar në pajisje të reja ushtarake, përfshirë avionë luftarakë, dronë dhe sisteme raketore, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë mbeten të ndjeshme për shkak të trashëgimisë së konflikteve të viteve ’90 dhe çështjeve të pazgjidhura politike. Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Izraeli apo Serbia lidhur me deklaratat e Milanović.
Analistët vlerësojnë se kjo lëvizje mund të ndikojë në dinamikat rajonale të sigurisë dhe në raportet diplomatike mes vendeve të përfshira, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë hapa të mëtejshëm në këtë drejtim.



Të tjera
Rama bën 7 ndryshime në qeveri ikën Balluku dhe Spiropali
Presidenti Begaj vizitën e tij treditore në Maqedoni e nisi me Çairin dhe Çashkën
Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë