Von der Leyen me tri porosi gjatë vizitës në Kosovë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përcjellë tri porosi për Kosovën përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), gjatë vizitës së saj në Prishtinë.
Ajo ka theksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për një të ardhme të përbashkët me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformave.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e Bashkimit tonë,” ka shkruar Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se për këtë qëllim, është thelbësore që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale, të ulë tensionet në vend dhe të përmbyllë hapat e nevojshëm për procesin e integrimit evropian.
Vizita e Von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin ajo do ta përmbyllë në Maqedoninë e Veriut.
Përfundon vizita e Von der Leyen në Prishtinë, niset drejt Shkupit
Ka përfunduar vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Prishtinë.
Atë e përshëndeti kryeministri në detyrë, Albin Kurti me të cilin e zhvilloi takimin pas atij me presidenten Vjosa Osmani.
Pas vizitës në Prishtinë, Ursula von der Leyen është nisur drejt Shkupit. Më herët, ajo qëndroi në Serbi.
Osmani pas takimit me Von der Leyen: Kosova është gati të ecë përpara drejt BE-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se me Von der Leyen ka diskutuar për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për rëndësinë e heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës dhe për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian.
“Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.
Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani.
Kurti pret në takim Von der Leyen në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen, pas vizitës së saj në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka arritur në Prishtinë, ku pas Osmanit takoi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Gërvalla pret Von der Leyen në Prishtinë: Kosova forcon reformat dhe afrimin me BE-në
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka pritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Gërvalla ka thënë se vizita e saj në Prishtinë vjen në momentin kur Kosova po konsolidon reformat, forcon sundimin e ligjit dhe thellon përafrimin me standardet e BE-së.
Derisa, ajo shtoi se po punon ngushtë me Komisionin Evropian për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pata nderin ta mirëpres znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.Vizita e saj në Prishtinë vjen në një moment kur Kosova po konsolidon reformat, forcon sundimin e ligjit dhe thellon përafrimin me standardet e BE-së. Si partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, po punojmë ngushtë me Komisionin Evropian për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, programit IPA III dhe hapat e qasjes graduale në tregun e përbashkët, me rezultate të matshme për qytetarët tanë, duke afruar edhe më tej integrimin tonë evropian”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Osmani pret në takim Ursula von der Leyen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po pret në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas takimit me Osmanin, e para e Komisionit Evropian do te takohet edhe me kryeministrin më detyrë, Albin Kurti, mirëpo jo në objektin e Qeverisë së Kosovës, por në Kuvendin e Kosovës, transmeton KosovaPress.
Von der Leyen, në dy takimet me krerët institucional në Kosovë nuk ka paraparë konferencë për media.
——-
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të vizitojë Kosovën. Gjatë vizitës së saj, ajo pritet të takohet me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, si dhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se takimi mes Presidentes Osmani dhe Presidentes von der Leyen do të zhvillohet në orën 13:00.
Vizitën treditore në rajon ajo e filloi të hënën në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën në Shkup. Para vizitës në Kosovë, ajo qëndroi në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi.
Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë, megjithëse ajo kishte vizituar gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor saktësisht një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë.
Të tjera
Gënjeshtrat që gratë e martuara ua thonë burrave
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit