Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.
Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.
Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.
Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend./Kosova Post/



Të tjera
Gjashtë ushqime që ju ndihmojnë të flini më mirë
“Nëse jetoni në të kaluarën, do të vdisni në të kaluarën”, këshillat që ju duhen për sukses
Të flini pranë dikujt që gërhet mund t’ju shkakton probleme serioze shëndetësore