Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, mori pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt në Londër dhe u organizua nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, si pjesë e kryesimit të vendit të tij me këtë proces.
Në samit morën pjesë liderë nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa, të cilët diskutuan mbi tre prioritetet kryesore për rajonin: migracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike.
Duke përfaqësuar përpjekjen e përbashkët të rajonit për zhvillim të qëndrueshëm, Kapetanoviç prezantoi një paketë prej 15 rezultateve të koordinuara nga RCC, të fokusuara në investime të qëndrueshme, Agjendën e Gjelbër, markimin rajonal të turizmit dhe transferueshmërinë e të drejtave sociale.
Në njoftim thuhet se “liderët konfirmuan miratimin e të gjitha 15 rezultateve, të cilat më parë ishin dakorduar nga ministrat e Ballkanit Perëndimor në takimin ministror për Agjendën e Gjelbër në Dubrovnik dhe në takimin ministror ekonomik në Londër, të mbajtur më herët këtë muaj”.
“Rezultatet flasin vetë – pesëmbëdhjetë arritje konkrete të udhëhequra nga RCC që do të hapin rrugën për bashkëpunim më të fortë në investime të qëndrueshme, tranzicion të gjelbër, turizëm dhe të drejta sociale. Jam gjithashtu i lumtur të mirëpres pranimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bordin e RCC-së, duke iu bashkuar klubit prej 25 qeverish dhe BE-së që punojnë për ta bërë rajonin tonë më të lidhur, më të qëndrueshëm dhe më pranë anëtarësimit në BE,” tha Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviç.
Ai theksoi gjithashtu se “zbatimi i shpejtë i angazhimeve të marra brenda Procesit të Berlinit është thelbësor”, duke shtuar se “82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se bashkëpunimi rajonal përmirëson situatën politike, ekonomike dhe të sigurisë, sepse sjell rezultate të prekshme”.
Në fund të njoftimit theksohet se “liderët në Samit vlerësuan kontributin e RCC-së dhe riafirmuan përkushtimin e tyre për avancimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, duke njohur rolin kyç të RCC-së në koordinimin dhe arritjen e rezultateve konkrete rajonale”.
Në kuadër të Samitit, Kapetanoviç u takua me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto, për të diskutuar zbatimin e angazhimeve të dakorduara dhe iniciativat rajonale në zhvillim të mbështetura nga RCC./rtk
Të tjera
PE për Serbinë: Vuçiq sulmon politikanët evropianë me gjuhë të papranueshme
Goditje diplomatike: Kosova dhe Britania sfidojnë Serbinë në Këshillin e Sigurimit
Gjasat janë reale që qeveria të formohet të dielën