Projekti i madh Shkodër–Gjakovë, hekurudha që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë po bëhet realitet!

Ndërtimi i hekurudhës Shkodër-Gjakovë mund të nisë brenda 2-3 viteve të ardhshme

“Financimi për ndërtimin e hekurudhës Shkodër – Gjakovë pritet të sigurohet përmes një kombinimi instrumentesh, duke përfshirë financime nga donatorë të ndryshëm, si dhe kontribute kombëtare nga Shqipëria dhe Kosova”. Kjo sipas Hekurudha Shqiptare, që e cilëson këtë model financimi të kombinuar, të aplikuar tashmë me sukses në projekte te tjera hekurudhore. “Ky model ofron fleksibilitet për të mbuluar një projekt të përmasave të tilla”, – kanë deklaruar nga Hekurudha Shqiptare për TV SCAN.

Sipas studimit të fizibilitetit kostot për këtë segment hekurudhor përllogariten në 1.8 mld euro. Rreth 1.7 mld euro janë kosto që nevojiten për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër përllogariten si kosto për leje, shpronësime, etj.

Linja hekurudhore nga Shkodra në Gjakovë do të ketë 7 stacione, në një gjatësi prej 105.8 km. Segmenti do të përmbajë 43 ura dhe 14 tunele, teksa gjatësia totale e tuneleve është 35.3 km.

Pritshmëritë janë që kjo linjë të ketë një ndikim të ndjeshëm si në transportin e mallrave, ashtu edhe në lëvizjen e pasagjerëve.