Prokurori Beqë Shala në qendër të hetimeve – Prokuroria Speciale publikon pamjet e arrestimit!

Mëngjesin e së hënës është arrestuar prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Beqë Shala, në një aksion të të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërsa dyshohet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale përmes një njoftimi të lëshuar për media.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.

Për çka dyshohet se mori ryshfet prokurori i arrestuar, Beqë Shala?

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar në vendin e tij të punës, mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Arrestimi i tij është bërë bazuar në një video-incizim të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”. Në të njëjtën kohë, ky video-incizim është pranuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe më pas janë zhvilluar hetimet nga PSRK-ja.

Kjo provë ngrit dyshimet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti” nga prokurori Shala.

Takimi i tyre është zhvilluar më 25 gusht 2022 në veturën e Shalës. Avokatja Berisha në këtë takim dyshohet se i jep ryshfet Shalës 350 euro, për të mos paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë.

Prokuroria Speciale publikon pamje nga arrestimi i prokurorit: Ndalohet për 48 orë

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.

Prokuroria Speciale, ndërsa njoftoi për masën e ndalimit ndaj prokurorit, publikoi pamje të arrestimit të tij.

“I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Gjatë bastisjes, Prokuroria tha se “janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”.