Prokuroria elaboron sërish provat shtesë në gjykimin ndaj ish-prokurorit Biraj dhe tjerëve, mbrojtja i kundërshton

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, si dhe dy të akuzuarve tjerë Shkodran Pulaj dhe Naim Osmanit lidhur me akuzat ryshfet, të mërkurën me kërkesë të trupit gjykues, prokurorja speciale Shenaj Berisha ka elaboruar sërish propozimet shtesë të provave materiale dhe personale. Këto prova i kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarve.

Në këtë rast, ish-prokurori Metush Biraj akuzohet për “Marrje ryshfeti”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani ngarkohen për “Dhënie ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Berisha propozoi provë shtesë procesverbalin mbi urdhrin për kontroll të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, që sipas saj, shërben si bazë e fortë dhe e ligjshme për marrje, sekustrim dhe ekzaminim të telefonit “Samsung” nga i akuzuari Pulaj.

Më pas, u propozua vërtetimi mbi sekuestrim, që sipas prokurores Berisha, vërteton se në mënyrë të ligjshme dhe në prani të palëve është siguruar marrja e telefonit nga Pulaj.

Më tutje, u propozua edhe urdhri ndalues përfundimtar dhe vendimi i Gjykatës që siguron se sendet e sekuestruara- përfshirë telefoni Samsung, janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe të sigurit për t’u siguruar pastaj ekzaminimi teknik dhe profesional i provave.

Po ashtu, u propozua raporti i ekspertizës teknike dhe profesionale, duke u vërtetuar përmes tij përmbajtja, origjina dhe vlerfshmëria e provave.

Gjithashtu, u propozua video-incizimi i komunikimit që është derivat i bisedës mes të akuzuarve Biraj dhe Pulaj. Po ashtu, komunikimet mes Pulajt dhe Afrim Osmanit. Si dhe që të ftohet si dëshmitar Liridon Thaqi- i cili sipas prokurores, sqaron se Pulaj ka dhënë pëlqim për hapje të telefonit të tij.

Për këtë të fundit, pas pyetjes së gjykatësit të rastit Lutfi Shala, prokurorja Berisha tha e nuk kanë procesverbal për dhënie të pëlqimit për hyrje në telefonin e Pulajt.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Birajt- avokati Reshat Millaku tha se provat e propozuara nga prokurorja janë të siguruara në mënyrë të kundërligjshëm, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për hyrje në telefonin e Pulajt dhe nuk ka vendim të Gjykatës për këtë.

Millaku tha se gjatë hetimeve janë kryer vepra penale nga hetuesit policorë, ku në rastin kur është lëshuar urdhri për kontroll dhe bastisje të shtëpisë së Pulajt, brenda 72 orësh, ky afat nuk është respektuar.

Pastaj, incizimi i bisedës në një vend privat, pra bisedës së Pulajt me Birajn, sipas avokatit Millaku përbën vepër penale. Ai tha se vepër penale ka pasur kur është bërë kontrolli personal ndaj Pulajt pa vendim të gjykatës.

Avokati Millaku tha se është në dorë të Gjykatës se si të veprojë për këtë situatë, por se sipas tij, Prokuroria ka qenë në dijeni për këto veprime.

Mbrojtësi i Pulajt, avokati Faton Fetahu tha se kundërshton propozimet e prokurores Berisha pasi që kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse është kryer pa urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe jashtë rrethanave të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas avokatit Fetahu, asnjëra nga provat shtesë të propozuara nga prokurorja Berisha, nuk argumentojnë ligjshmërinë e kontrollit personal të Pulajt, pasi që as nuk ka pasur kërkesë prej Prokurorisë dhe as vendim të Gjykatës për këtë rrethanë.

Avokati Fetahu shtoi se nga raporti i analizës së telefonit, shënohet qartë se telefoni si provë është dorëzuar më 25 tetor 2023, ndërkaq 21 provat e tjera më 6 shtator 2023, gjë që sipas tij, nënkupton se nuk dihet nëse telefoni është administruar gjatë kësaj kohe nga organet kompetente.  Gjithashtu, avokati Fetahu tha se kontrolli personal i telefonit të Pulajt është bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ka pasur vendim gjyqësor për kontroll të telefonit, e që si provë përmbajtja e dosjes telefonike përbën boshtin kurrizor të aktakuzës. Tha se kjo provë është marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Në fund, mbrojtësi i Osmanit, avokati Teki Bokshi tha se propozimi për dëgjim të dëshmitarit Liridon Thaqi nuk duhet të pranohet nga Gjykata, pasi që është i liruar nga detyrimi për dëshmi apo dhënie të fakteve që mund ta sjellin të njëjtit para përgjegjësisë penale.

Më pas, gjykatësi Shala tha se jashtë seancës do të vendosë për propozimet e Prokurorisë për provat materiale dhe ato personale.

Seanca u ndërpre për të vazhduar në muajin nëntor.

Tre të akuzuarit, në seancën fillestare më 16 tetor 2024 janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull  “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”, ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.

Ndryshe, aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda. Për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të regjionit të Prizrenit, kjo çështje për gjykim ishte dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit kishte hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.

Por, Gjykata e Apelit ka vendosur se kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja  dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja  dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.

Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.

Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.

Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet.  Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.