Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, bëri të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini tha se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.
“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini.
Më herët, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, të martën rreth orës 23:00.
“Çdo sulm ndaj një zyrtari policor është sulm ndaj Republikës së Kosovës! Policia e Kosovës është shtylla kryesore e rendit dhe sigurisë në vend. Prekja e saj është përpjekje për të minuar themelet e shtetit tonë dhe nuk do të tolerohet”, thuhet në reagimin e SPK-së.
Ditëve të fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje. Në fund të marsit u regjistruan katër vrasje.
Më 23 mars, një 19-vjeçar u vra në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij. Po në Vushtrri, një ditë më vonë një burrë vrau një grua 42-vjeçare. Dorasi, 58 vjeç, më pas vrau veten.
Ndërkaq, mbrëmjen e 25 marsit, një burrë u vra në Prishtinë, ndërkaq një tjetër mbeti i plagosur, pasi, sipas Policisë, ata u sulmuan nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Polici i ndjerë ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka dënuar vrasjen e policit, duke thënë se “sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”, ka deklaruar ai.



Të tjera
Hoffenheim kërkon 50 milionë euro për Fisnik Asllanin
Më 28 dhjetor do ta bëjmë Albin Kurtin kryeministër për herë të tretë
7 karakteristikat e mashkulli ideal