Prokuroria Speciale reagon ndaj sanksioneve britanike për rrjetin `Krasniqi

Prokuroria Speciale reagon ndaj sanksioneve britanike për rrjetin `Krasniqi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar pas vendimit të autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për të ndaluar udhëtimin dhe përjashtuar nga sistemi financiar britanik anëtarët e rrjetit kriminal “Krasniqi”, të përfshirë në kontrabandimin e njerëzve dhe falsifikimin e dokumenteve në Kosovë, transmeton KosovaPost.

Në një njoftim për media, Prokuroria thekson se “këto masa janë të mirëpritura dhe tregojnë përkushtimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar”.

Prokuroria shton se “rasti po trajtohet me prioritet dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe me të gjitha vendet partnere, duke mbetur një aktore konstruktive dhe e besueshme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe në promovimin e sigurisë dhe drejtësisë në rajon dhe më gjerë”.

Ky reagim vjen pas veprimeve të qeverisë britanike për të goditur rrjetet që shfrytëzojnë Ballkanin Perëndimor si rrugë tranziti për migracionin e paligjshëm dhe për të ekspozuar publikisht personat që mbështesin tregtinë e paligjshme të qenieve njerëzore.