Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela, ka thënë se kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u kishte propozuar që Arben Taravarin ta qesin kandidat për president.
Në një intervistë për median në Kosovë, ai ka thënë se Kurti këtë ja kishte thënë në një takim më 4 janar 2024.
Sela ka thënë se për atë nuk do të ishte problem ta kandidonte Taravarin, por siç ka thënë ai ka treguar arsyet se pse shqiptarët nuk duhet të kenë kandidat për president.
“Në takimin e fundit që kam pas me z.Kurti më 4 janar 2024, para se të ndodhin problemet brenda për brenda, më është shtruar teza ‘çmendon ta bëjmë Taravarin kandidat për president’. Unë s’ka gjë kundër, por shtrohet pyetja a duhet të kemi kandidat shqiptar për president. Kam thënë kujdes se kjo del nga goja e një politikani që pesë vjet më para ka bërë thirrje që vota shqiptare të shkojë për shqiptarët, por në rrethana të tjera”, ka thënë Sela.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrimin në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, e ka thënë një gjë të tillë, duke e cilësuar Kurtin si “ndërhyrës në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoni”.
Analistët shqiptarë kanë folur rreth “ndërhyrjes” së Kurtit në Maqedoninë e Veriut.
Ndasitë Kosovë- Shqipëri në Maqedoni i shkojnë dobi VMRO -DPMNE
Xhenis Sulimani, politolog shqiptar në Maqedoni në një prononcim për gazetën thotë shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për Prishtinën dhe Tiranën.

Por, sipas tij, Prishtina dhe Tirana ndasitë e tyre i imponojnë këtu.
“Albin Kurti, por edhe Edi Rama, në fushatën e fundit zgjedhore në RMV kanë matur forcat për një lloj partneritetit ndaj politikanëve shqiptarë këtu në Maqedoninë e Veriut. Patjetër që shqiptarët këtu kanë nevojë për Prishtinën dhe Tiranën. Por, kur Prishtina dhe Tirana ndasitë e veta i imponojnë këtu, atëherë është problem. Problem i madh që i shkon në dobi vetëm partisë maqedonase që udhëheq me vendin, në rastin konkret VMRO -DPMNE”, deklaron Sulimani.
Tutje, sipas tij, kryeministrat shqiptarë nuk kanë një politikë të unifikuar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Rreth “ndërhyrjes” së Kurtit dhe Ramës kishin deklaruar më herët edhe analistë tjerë, madje sipas tyre, Maqedonia e Veriut ishte kthyer në fushëbetejë politike.
“Maqedonia e Veriut, është kthyer në fushëbetejë politike midis kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti duke u përfshirë në zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale në vend. Kjo ndërhyrje e kryeministrave shqiptarë të rajonit rrezikon pikërisht faktorin politik shqiptar, që pa diskutim është katalizator i stabilitetit politik përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë së Veriut. Pikëpyetje të mëdha lindin ndërsa shohim një ambicie panshqiptare të dy kryeministrave Rama dhe Kurti për ndikim apo dominim politik në hapësirën shqiptare. Duket se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama në Shqipëri dhe Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti në Kosovë janë në një garë të ethshme për pushtet përtej kufijve në Maqedoni por dhe në Mal të Zi. Megjithatë, më e theksuar mbetet Maqedonia e Veriut”, ka shkruar Marjana Doda.
Madje, sipas saj kjo nuk i shërben për të mirë Maqedonisë në zgjedhjet parlamentare e presidenciale nuk i shërben Maqedonisë së Veriut.
“Maqedonia e Veriut është ende peng i pretendimeve historike nga ana e Bullgarisë, ndërsa vetë rajoni në tërësi është ende i brishtë. Pa harruar sfondin gjeopolitik i cili po sjell erëra të forta destabilizimi. Kësisoj është emergjente për Maqedoninë e Veriut që këto zgjedhje ti japin drejtimin e duhur vendit. Shqiptarët sot janë shtetformues dhe bashkëqeverisës të këtij shtetit, ndaj në këto rrethana gjeopoltike çdo ndërhyrje nga jashtë qoftë dhe nga Shqipëria e Kosova trondit kredibilitetin e partive poltike përballë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pa marrë parasysh etninë e tyre. Që këto zgjedhje të parakohshme, të mos prodhojnë qeveri të përkohshme në Maqedoninë e Veriut, si Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të ndalin këtë revansh politik gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Përndryshe Maqedonia e Veriut do të vijojë të mbetet peng i nacionalizmave rajonale duke penguar të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, shkruan Doda.
Propozimi i Kurtit u përdor politikisht
Ndërsa, opinionisti Lirim Gashi, thotë se qëllimi i Kurtit është të jetë bashkëpunues.
“Ky propozim mund të shihet si përpjekje për koordinim politik rajonal, me qëllim fuqizimin e përfaqësimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, por pa konsensus të brendshëm ai mund të perceptohet edhe si ndërhyrje në politikën e brendshme. Pra, qëllimi mund të ketë qenë bashkëpunues, por mënyra dhe forma e realizimit ka krijuar ambiguitet: Nëse është bërë me mirëkuptim dhe konsultim paraprak, është koordinim; Nëse është bërë njëanshëm apo jashtë strukturave të partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut, perceptohet si ndërhyrje”, deklaron Gashi.

Sipas tij, iniciativa e Kurtit që Taravari të jetë president ka reflektuar me përçarje dhe polarizim.
“Kjo iniciativë ka reflektuar me përçarje dhe polarizim, në vend se me unitet dhe bashkëpunim. Disa parti e kanë interpretuar si favorizim ndaj një subjekti specifik (Aleanca për Shqiptarët), duke krijuar tensione dhe ndasi. Në vend që të afronte partitë shqiptare për një qëllim të përbashkët (p.sh. për të pasur president shqiptar), propozimi u përdor politikisht për të fituar avantazh elektoral, gjë që dëmtoi unitetin e brendshëm”, shprehet opinionisti.
Tutje, ai kërkon që iniciativa e Kurtit të shërbejë si katalizator për unitet strategjik, jo si arsye për ndarje.
Sipas tij, propozimi i Kurtit ka qenë një mundësi e mirë e keqmenaxhuar nga të dyja palët.
“Kjo iniciativë duhej të shërbente si katalizator për unitet strategjik, jo si arsye për ndasi. Reagimi i duhur nga partitë shqiptare do të kishte qenë: Të thërrisnin një mbledhje të përbashkët gjithëpërfshirëse, ku të diskutonin për një kandidaturë unifikuese; Të ndërtonin një platformë të përbashkët kombëtare, ku prioritet do të ishte përfaqësimi dinjitoz i shqiptarëve në institucionet qendrore; Të trajtonin çdo mbështetje nga Kosova apo Shqipëria si vëllazërore dhe ndihmëse, jo si dirigjim politik. Në përfundim, propozimi i Kurtit ka qenë një mundësi e mirë e keq menaxhuar nga të dyja palët: ai duhej të ndodhte si pjesë e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, e jo si propozim privat mes individësh. Vetëm përmes besimit të ndërsjellë dhe një vizioni të përbashkët, shqiptarët në rajon mund të koordinohen pa u akuzuar për ndërhyrje”, përfundon Gashi.
Të tjera
Silvinjos më në fund i mbushet mendja, e fton sulmuesin Kristian Shpendi në Kombëtare
Real Madridi fiton ndaj Oviedos, shkëlqen Mbappe
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën