Propozimi për rritjen e çmimit të rrymës në përqindje dyshifrore

Propozimi për rritjen e çmimit të rrymës në përqindje dyshifrore

Zyra e Rregullatorit për Energji tashmë e ka në tavolinë aplikimin për rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, bashkë me dokumentacionin për kostot dhe për të hyrat e lejuara maksimale.

Jo-zyrtarisht televizioni Dukagjini kuptoi se rritja e propozuar e çmimit të rrymës shkon në përqindje dyshifrore.

Sidoqoftë, këtë nuk e kanë konfirmuar e as mohuar as Zyra e Rregullatorit për Energji e as kompania për furnizim KESCO.

Në një përgjigje, Rregullatori njoftoi se e ka zgjatur afatin për aplikime për të hyrat e lejuara maksimale të operatorëve deri të mërkurën e 28 Janarit – por refuzoi të japë shifrat zyrtare pa u mbyllur kjo fazë.

“Sa i përket propozimit të Furnizuesit me Shërbim Universal (FSHU/KESCO) për të hyrat e lejuara maksimale, nivelin e kostove, të hyrave, si dhe propozimet për tarifat për vitin 2026, këto informacione do të jenë të disponueshme vetëm pas dorëzimit të aplikimeve dhe përfundimit të kontrollit fillestar administrativ nga ZRRE-ja”.

Me arsyetimin e njëjtë edhe KESCO-ja, kompani me detyrë të Furnizuesit të Shërbimit Universal, refuzoi të tregojë propozimin e saj.

“Siç e dini Zyra e Rregullatorit për Energji ka shtyrë afatin për aplikim deri më datë 28 Janar. Rrjedhimisht, procesi i aplikimit është akoma i hapur dhe ne do e respektojmë këtë proces, të udhëhequr nga Rregullatori”, kanë thënë nga KESCO.

Sido që të jetë aplikimet e të gjithë operatorëve përfshirë edhe KEDS-in, KOSTT-in, por edhe KEK-un, do të publikohen në kuadër të procesit të shqyrtimit tarifor.

Javën e kaluar, TV Dukagjini raportoi për tejkalim për afër 36 milionë euro të vlerës së parashikuar të importit të energjisë elektrike nga KESCO, si Furnizues i Shërbimit Universal, vitin e kaluar.

Një nga faktorët shtesë, që pritet të ketë ndikim në importin e lejuar për FSHU-në, rrjedhimisht në tarifa, edhe vitin tjetër, është planifikimi për ndalje të prodhimit për një pjesë të madhe të vitit 2026 në njësitë e termocentralit “Kosova B” me qëllim të kryerjes së investimeve.

ZRRE-ja do të marrë vendim për tarifa të energjisë elektrike para fundit të muajit Mars, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi nga 1 Prilli.

Nëse Rregullatori aprovon propozimin e KESCO-s, kjo do të ishte hera e katërt në pesë shqyrtimet e fundit që konsumatorëve do t’u rritej çmimi i rrymës.