Protesta në Hagë: Hipokrizia e deputetëve të PDK-së dhe rëndësia e Gjykatës Speciale për drejtësinë në Kosovë

Në Hagë, u mbajt protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës se si po zhvillohet gjykimi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Rastësia dhe njëkohësisht paradoksi i madh i protestës në Hagë është se pjesë e saj u panë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Këta deputetë, në të kaluarën, ishin ndër ata që ngritën dorën për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e arsyetuar vendimin si obligim ndërkombëtar dhe si domosdoshmëri për të ruajtur raportet e Kosovës me aleatët perëndimorë. Sot, megjithatë, ata të njëjtit po protestojnë kundër po atij institucioni që vetë e votuan dhe e ndërtuan.

Duke marrë pjesë në protestë, deputetët e PDK-së po dërgojnë një mesazh kontradiktor: nga njëra anë janë përkrahës të një mekanizmi që vetë e votuan si garanci për partneritetin ndërkombëtar, ndërsa nga ana tjetër po e sfidojnë me veprime publike të cilat mund të perceptohen si pengesë ndaj vendosjes së drejtësisë.

 

Ai thekson se ata dikur e justifikuan si obligim ndërkombëtar, sot e kundërshtojnë, gjë që shihet si kontradiktë dhe hipokrizi politike.

Image

Avokati Gazmend Halilaj

“Protesta e sotme në Hagë kundër Gjykatës Speciale dhe gjykimit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së reflekton ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, pjesëmarrja e deputetëve të PDK-së, të cilët në të kaluarën votuan për themelimin e kësaj Gjykate, ngre pyetje të mëdha mbi koherencën dhe seriozitetin politik.

Nga njëra anë, mbështetja e Gjykatës Speciale ishte një akt institucional që u justifikua me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe nevojën për të ruajtur partneritetin me aleatët. Nga ana tjetër, protestimi sot kundër saj mund të perceptohet si hipokrizi politike, pasi shpreh një qëndrim të kundërt me vendimin e marrë më parë”, thotë avokati.

Prandaj, më shumë se sa të protestohet kundër një mekanizmi që vetë u themelua me votën e tyre, deputetët duhet të reflektojnë mbi përgjegjësinë politike dhe morale që mbajnë para qytetarëve”, deklaron Halilaj.

Tahiraj: Protesta në Hagë — protestë kundër vetvetes

Image

Veprimtari Saim Tahiraj

Veprimtari Saim Tahiraj thotë se protesta kundër Gjykatës Speciale është paradoksale, pasi deputetët që e votuan sot e kundërshtojnë.

Tutje, thotë se kjo është hipokrizi dhe luftë kundër vetë shtetit që u ndërtua me sakrifica , duke përmendur mbi 100 vrasje politike, kryesisht nga radhët e LDK-së, mbetën pa drejtësi në Kosovë, prandaj u krijua Gjykata Speciale — si e vetmja shpresë për familjarët e viktimave.

“Rezistenca dhe lufta heroike e popullit të Kosovës sollën lirinë dhe pavarësinë, rezultat i sakrificës, unitetit të popullit tonë dhe koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me SHBA. Tani, çfarë po ndodh me ne? A kemi ndryshuar kursin dhe strategjinë tonë, duke u kthyer në luftë të ashpër kundër institucioneve të drejtësisë që vetë i votuam, i krijuam dhe i ndërtuam? Kjo nënkupton se jemi në luftë kundër shtetit që me aq shumë sakrifica të brezave e krijuam — pra, kundër vetvetes.

Të gjithë ata deputet që sot marrin pjesë në këtë protestë janë hipokritë dhe të pabesë, sepse po protestojnë kundër një gjykate që ata vetë e votuan — së bashku me ata që sot po gjykohen si të dyshuar. Të protestosh kundër Gjykatës Speciale në Hagë do të thotë të protestosh kundër drejtësisë që aq shumë i mungon Kosovës.

Janë mbi 100 të vrarë me motive politike nga radhët e LDK, që u ekzekutuan nga një bandë kriminale e organizuar dhe e drejtuar nga një qendër profesionale. Familjarët e tyre kërkojnë drejtësi prej më shumë se 25 vitesh, por kot, sepse asnjëherë nuk patën guximin t’i trajtojnë dhe të hetojnë këto raste në drejtësinë vendore në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye u formua Gjykata Speciale në Hagë — për t’i trajtuar këto vrasje politike; ajo është e vetmja shpresë për familjarët e viktimave”, shprehet ai.

Andaj, sipas tij, të protestosh kundër Gjykatës Speciale do të thotë të pengosh shpresën për drejtësi për viktimat e vrasjeve politike — si Xhemajl Mustafa, Haki Ymeri e të tjerë — që u ekzekutuan për shkak të angazhimit të tyre politik.

Ai thotë se këto demonstrata ushtrojnë presion ndaj një institucioni që u krijua për t’i hetuar këto krime dhe rrezikojnë të dëmtojnë procesin gjyqësor, por që sipas Tajirajt, besimi se gjykata do t’i rezistojë këtyre presioneve dhe do të vendosë drejtësinë përfundimtare mbetet i domosdoshëm për lirinë dhe stabilitetin e Kosovës.

“Të protestosh kundër Gjykatës Speciale në Hagë do të thotë të jesh kundër vendosjes së drejtësisë për: Fetah Rudin (të cilin e gjymtuan dhe e lanë në karrocën e invalidit dhe që dëshmoi para kësaj gjykate), Xhemajl Mustafën, Haki Ymerin, Shaban Manajn, Ahmet Krasniqin, komandant Drinin, Ismet Rracin, Tahir, Hasan dhe Enis Zemaj, Smajl Hajdarin e shumë të tjerë — që në stilin e OZNA-s famkeqe u ekzekutuan vetëm pse ishin veprimtarë dhe funksionarë të LDK-së, ministra, komandantë dhe ushtarë të MMRK. Qëllimi ishte eliminimi i bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Presidentit Rugova, frikësimi dhe dobësimi i organizimit partiak dhe institucional, në mënyrë që pushteti të merrej me dhunë.

Kjo protestë përbën presion të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Speciale në mënyrë që të pengohet mbarëvajtja e procesit gjyqësor dhe drejtësia të mos vendoset në vendin e duhur. Besoj se kjo gjykatë nuk do të bjerë nën ndikimin e këtyre presioneve absurde dhe do të vazhdojë punën e saj në trajtimin dhe përfundimin e të gjitha rasteve të vrasjeve politike. Vetëm atëherë, kur të vendoset drejtësia për të gjitha vrasjet politike, do të ketë liri të plotë për të gjithë shqiptarët në Kosovë.

Protestat kundër Gjykatës Speciale në Hagë janë të papranueshme sepse minojnë shpresën e familjarëve të viktimave për drejtësi dhe përbëjnë një sulm ndaj institucioneve që vetë i krijuam. Drejtësia për vrasjet politike është kusht themelor për lirinë dhe stabilitetin e plotë të Kosovës” – përfundon Tahiraj