​Pse është e rëndësishme njohja e Kosovës nga Siria?

Njohja e Kosovës nga Siria po konsiderohet e rëndësishme, por gjithashtu edhe tregues se shtete të tjera mund ta ndjekin këtë rrugë.

Kjo njohje ka qenë e pritur nga koha e rrëzimit të dinastisë Assad, thotë Nehat Islami i cili ka qenë korrespodent për Kosovë nga Lindja e Mesme me seli në Bejrut.

Ai pret që Kosovën ta njohë edhe Libani, vend në të cilin jetoi për katër vjet. Islami thotë për KosovaPress, se mund të shtohet numri në listën e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës.

Islami: Njohja e Sirisë ka qenë e pritur që nga koha e rrëzimit të dinastisë Assad

Siria, vend në Lindjen e Mesme, ka njohur Kosovën më 29 tetor, duke u bërë vendi numër 120 që njeh pavarësinë e vendit tonë. Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se kjo marrëveshje është arritur me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud në Riad.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë. Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, ka shkruar Osmani.

Edhe Ministria e Jashtme e Sirisë ka njoftuar për njohjen e Kosovës, ku ndër tjera është thënë se ky vendim synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vende të ndryshme të botës.

Nehat Islami, i cili ka punuar si korrespodent në Lindje të Mesme gjatë viteve të 70-ta, thotë për KosovaPress se më parë raportet e Sirisë me Kosovën kanë qenë të varura kryesisht nga Moska.

Islami: Arabia Saudite e Turqia po punojnë me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën 

“Është shumë e rëndësishme sepse Siria në kohën e dinastisë Assad ka qenë në zinxhirin e shteteve të rezistencës të lidhura me Iranin. Irani dihet se nuk kanë dëshiruar dhe nuk dëshironin ta njohin Kosovën për arsye politike. Pasi Siria ka qenë ta themi edhe një koloni e Iranit, e varur edhe nga ushtria dhe ekonomia iraniane, ajo nuk ka guxuar dhe nuk ka dëshiruar që ta njohë Kosovën, por me ardhjen e pushtetit të ri, kur doli në sipërfaqe se populli i Sirisë nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës dhe ata janë të interesuar që ta njohin Kosovën, atëherë edhe udhëheqja e re u orientua në atë drejtim. Por këtu duhet të dihet një gjë që roli i Arabisë Saudite dhe Turqisë në atë pjesë të globit është i madh dhe këto dy shtete tona mike janë duke punuar gjithnjë e më tepër me shtetet të cilat ende nuk na kanë njohur në atë regjion”, shton ai për KosovaPress.

Njohësja e çështjeve të integrimeve evropiane dhe ish-diplomatja, Alma Lama thotë se njohja e Sirisë ka ardhur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike dhe rreshtimit të ri politik të Damaskut zyrtar.

Lama: Njohja e Kosovës nga Siria është e rëndësishme

Shteti i Kosovës duhet të rishikojë strategjinë e njohjeve, thotë ndër tjera Lama, teksa shton se kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo konsideron se autoritetet vendore duhet të forcojnë bashkëpunimin me SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Lama: Kosovës i nevojiten më shumë njohje

“Kosovës i duhen sa më shumë njohje në mënyrë që të konfirmohet në skenën ndërkombëtare, në kuptimin e daljes nga “vrima e zezë”, pasi që nuk është anëtare e OKB-së, por sigurisht që njohjet nuk është se e bëjnë anëtare të OKB-së, sepse në fund vendos Këshilli i Sigurimit, por e forcojnë legjitimitetin e saj ndërkombëtar. Prandaj është e rëndësishme, sidomos kur njihet nga shtete të rëndësishme. Sigurisht që gjatë këtyre viteve nuk ka pasur shumë njohje, janë vetëm dy njohje në dy vjetët e fundit dhe mendoj që është lajm i mirë që duhet vazhduar të shihen nëse ka lëvizje sado pak edhe të atyre shteteve që kanë pasur hezitim në njohjen e Kosovës, sepse procesi i njohjes është bërë në bashkërendim me SHBA-në dhe influenca e SHBA-së ka ndryshuar, influenca ruse gjithashtu ka për shembull në vendet e Afrikës ka ndryshuar, mund të jetë dobësuar në disa shtete, sigurisht që është Kina që po e zëvendëson por në ato shtete ku influenca ruse nuk është më e fuqishme, mendoj që ka ende hapësirë dhe duhet një rishikim i plotë i strategjisë së njohjeve nga ana e shtetit të Kosovës por kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me SHBA-në dhe me vendet mike”, përfundon Lama.

Për njohjen e Sirisë, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka shprehur mirënjohje përpjekjeve të suksesshme të presidentes Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Arabisë Saudite. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se me vendimin për njohjen e Kosovës, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetit në Ballkan”.