Pse “jo” edhe Konjufca? Jakupi: Bllokada e PDK-së dhe LDK-së për të ruajtur privilegjet e pasluftës

Analisti politik Zejnullah Jakupi ka komentuar zhvillimet e fundit pas nominimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” ai e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për t’i dhënë institucioneve të vendit funksionalitet të plotë dhe për të siguruar miratimin e buxhetit për vitin 2026.

“Po ta themi qartë: nominimi i Glauk Konjufcës ka për qëllim krijimin e qeverisë së re, dhe për një periudhë të caktuar — deri në zgjedhjen e presidentit të ri — t’i mundësohet institucioneve funksionimi i plotë dhe miratimi i çështjeve urgjente, siç është buxheti për vitin 2026.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka theksuar se miratimi i buxhetit është urgjent dhe një nga arsyet kryesore që e motivuan emërimin e Konjufcës si mandatar”, ka thënë Jakupi për gazetën “Bota sot”.

Image

Zejnullah Jakupi

Sipas tij, reagimet e menjëhershme kundërshtuese të partive opozitare – PDK, LDK dhe NISMA – tregojnë se bllokada po përdoret si mjet për mbrojtjen e sistemit të vjetër të privilegjeve politike, duke e kthyer pengimin institucional në strategji të qëllimshme për ruajtjen e status quo-së.

Megjithatë, nuk dihet nëse ekziston siguri për mbledhjen e votave të nevojshme në Kuvend.

Për këtë nuk ka garanci, pasi menjëherë pas nominimit të Konjufcës nga Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, u dëgjuan reagime kundërshtuese nga PDK, LDK dhe NISMA.

Arsyeja qëndron në faktin se LVV aktualisht nuk ka shumicë absolute në Kuvend dhe, pa mbështetjen e partive të tjera, nuk mund të sigurojë votat për formimin e qeverisë.

Së pari ai e ka cilësuar ish-Opozitën si bllokuese, duke thënë se e njëjta bllokadën e përdor si strategji për mbrojtjen e sistemit të vjetër.

Nuk pritet asgjë e re nga ish-opozita, e cila po tregon hapur se nuk e pranon Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) as si forcë politike, as si filozofi qeverisëse. Nuk e duan as Glauk Konjufcën – e akuzojnë se vepron sipas udhëzimeve të Albin Kurtit. Kjo sjellje tregon një nihilizëm të thellë politik: për ta, pushteti ka vlerë vetëm kur e mbajnë vetë, ndërsa kur janë jashtë tij, çdo gjë tjetër bëhet e parëndësishme.

Ai ka potencuar se këto elita politike, të formuara në periudhën e pasluftës, kanë ngritur një sistem pushteti të bazuar mbi klientelizmin, kontrollin e burimeve publike dhe ndikimin mbi drejtësinë.

“Ndaj ardhja në pushtet e LVV-së dhe e Albin Kurtit, me një agjendë që synon çmontimin e këtij sistemi, është perceptuar si kërcënim ekzistencial për ta.

Ai ka thënë se është ironike që dikur Albin Kurti akuzohej se po e bllokon formimin e institucioneve, ndërsa sot po shihet qartë e kundërta: janë partitë tradicionale – PDK, LDK, AAK dhe tashmë edhe NISMA – që po e pengojnë funksionimin e shtetit.

“Në shoqëri me kulturë politike të konsoliduar, një parti apo lider që pengon krijimin e institucioneve humb besueshmërinë publike.

Në Kosovë, përkundrazi, mosfunksionimi i shtetit është shndërruar në instrument politik: sa herë që humbin zgjedhjet, këto parti përpiqen ta kthejnë vendin në ngërç, me shpresë se qytetarët do të lodhen dhe do të kërkojnë “stabilitet” – duke i rikthyer sërish në pushtet.

Në rast se z. Konjufca nuk i merre 61 vota, presidentja do e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka përfunduar Jakupi.

Ndryshe, mbrëmë presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar z. Glauk Konjufca si mandatar për formimin e Qeverisë së re.