Publikohet deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e Kosovës

Publikohet deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se shteti i Sirisë njeh Republikën e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Riad, Osmani përmes një postimi në Facebook tha se kjo njohje e re është arritur me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, transmeton KosovaPost.

Deklarata e plotë zyrtare:

Damask, 29 tetor 2025 – Në Rijad, kryeqyteti i Mbretërisë së Arabisë Saudite, u mbajt një takim trilateral në mes të Republikës Arabe të Sirisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës. Diskutimet u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.

Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës thekson se kjo vendimarrje bëhet brenda kornizës së politikës së jashtme të Sirisë, e cila synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vendet mike në një mënyrë që i shërben interesave të përbashkëta dhe forcon marrëdhëniet e miqësisë mes popujve.

Republika Arabe e Sirisë shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe rolin e saj në afrimin e pikëpamjeve dhe mbështetjen e dialogut dhe mirëkuptimit, çka ka kontribuar në krijimin e kushteve të përshtatshme për marrjen e këtij vendimi.

Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve miq.