Punonjësit e Microsoft-it protestojnë kundër kompanisë për lidhjet me luftën e Izraelit në Gaza

Punonjësit e Microsoft-it protestojnë kundër kompanisë për lidhjet me luftën e Izraelit në Gaza

Një grup personash, përfshirë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Microsoft-it, organizuan protestë në selinë e kompanisë në Redmond në shtetin amerikan të Washingtonit kundër gjigantit të teknologjisë për lidhjet e tij me ushtrinë izraelite gjatë luftës së vazhdueshme në Gaza, transmeton Anadolu.

Protesta u organizua nga grupi i quajtur “No Azure for Apartheid”, i emëruar sipas shërbimit kryesor të Microsoft-it për informatikën cloud, Azure. Protestuesit u mblodhën brenda zyrës së presidentit të Microsoft-it, Brad Smith, në ndërtesën ku ata brohoritën slogane dhe mbajtën banderola.

Policia arrestoi 7 persona që hynë në zyrën e presidentit të Microsoft-it, thuhet në lajm.

Bloomberg raportoi se Microsoft është përballur me “revoltë të vogël por të vazhdueshme” gjatë vitit të kaluar nga punonjësit që i kërkuan kompanisë të ndërpresë lidhjet e saj të biznesit me Izraelin gjatë luftës në Gaza.

Kompania thuhet se kërkoi ndihmë nga FBI-ja dhe punoi me forcat lokale të rendit për të monitoruar dhe shtypur protestat.

Protesta e fundit vjen pas njoftimeve se Njësia 8200 e Izraelit përdori Microsoft Azure për të ruajtur regjistrimet e thirrjeve telefonike palestineze. Më herët këtë vit, Associated Press zbuloi partneritetin e Microsoft-it me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit për të përpunuar inteligjencën në përzgjedhjen e objektivave.

Pas lajmit të AP-së, Microsoft tha se një shqyrtim i brendshëm nuk gjeti prova se Azure ose teknologjitë e saj të inteligjencës artificiale u përdorën për të synuar ose dëmtuar njerëzit në Gaza.

Izraeli ka vrarë gati 63 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke, duke e bërë atë të pabanueshme.