Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Listës Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
LVV kishte paraqitur ankesë duke pretenduar se gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, Lista Serbe kishte ekspozuar parullën “Svi za brata Milana” (Të gjithë për vëlla Milanin), duke shprehur përkrahje për Milan Radoiçiqin. Ai është shpallur në kërkim nga institucionet e Kosovës për sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 dhe ndaj tij ekziston aktakuzë nga Prokuroria Speciale për krime të ndryshme, përfshirë edhe krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Sipas ankesës, kjo parullë glorifikon terrorizmin dhe nxit urrejtje politike e etnike. Në përgjigje, Lista Serbe ka mohuar akuzat, duke deklaruar se bëhej fjalë për kandidatin e tyre për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, dhe jo për Milan Radoiçiqin. Ata kanë theksuar se emri i njëjtë ka qenë rastësi dhe kanë paraqitur dëshmi se thirrjet publike ishin të drejtuara për mbështetje të kandidatit të tyre.
Pas shqyrtimit, PZAP ka vendosur se nuk ka asnjë provë që të dëshmojë se parulla i referohej Radoiçiqit, duke i cilësuar pretendimet e LVV-së si të paqëndrueshme.
Akuzat ndaj Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve
Grupi i të dyshuarve për krime lufte përfshin 20 persona, mes tyre pjesëtarë të forcave ushtarake e policore serbe, si dhe individë të tjerë. Sipas Prokurorisë së Kosovës, ata dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në maj të vitit 1999, trupat e të cilëve u gjetën pas luftës në Batajnicë, pranë Beogradit.
Përveç vrasjeve, grupi akuzohet edhe për arrestimin dhe burgosjen e më shumë se 300 civilëve shqiptarë në burgje të improvizuara, ku ata mbaheshin pa trajtim njerëzor. Veprat penale për të cilat akuzohen janë të dënueshme nga 5 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.
Megjithatë, deri më tani nuk janë përcaktuar përgjegjësitë individuale të secilit të dyshuar dhe nuk ka aktakuzë të re të ngritur nga Prokuroria Speciale. Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk ka dhënë përgjigje nëse ka pasur komunikim me institucionet e Kosovës për këtë rast.
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka kritikuar vonesën në hetimin e rastit, duke thënë se kjo u ka dhënë mundësi të dyshuarve të shmangin drejtësinë. Ai ka theksuar se Radoiçiq kishte lëvizur lirisht në Kosovë dhe kishte mundësi të arrestohej më herët.
Përveç akuzave për krime lufte, Milan Radoiçiq është i kërkuar edhe për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë vetë ai.
Të tjera
Dogana e Kosovës jep detaje për ndalimin e Mozikut nga autoritetet
Aleanca e fortë me SHBA-në, gjithmonë në dobi të popullit tonë
Kosova duhet të përfshihet si anëtare