Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkonte përsëritjen e procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut. Në vendimin e publikuar sot, PZAP konstaton se pretendimet për parregullsi gjatë numërimit të votave nuk janë vërtetuar.
Në vendimin e datës 14.11.2025, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vlerësuar se pretendimet e PDK-së për manipulime të fletëvotimeve dhe cënim të integritetit të procesit nuk janë vërtetuar.
“REFUZOHET e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK)… me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet KQZ-ja të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut,” thuhet në vendim.
PZAP thekson se, sipas verifikimeve të kryera nga KQZ-ja dhe komisionet përkatëse, gabimet e konstatuara lidhen me çështje teknike të shtypjes së kodeve të vendvotimeve në disa fletëvotime, por ato nuk kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor dhe “nuk përbëjnë cenim të integritetit të votës”.
Në arsyetim thuhet se: “Gabimi i evidentuar është ekskluzivisht teknik dhe i kufizuar në shtypjen e kodit të vendvotimit në disa fletëvotime të fundit brenda disa dengjeve… dhe nuk ka ndikuar në vullnetin e shprehur të votuesve.”
Paneli po ashtu përmend se gjatë verifikimit “asnjë fletëvotim i dedikuar për një vendvotim nuk është bartur në vendvotime të tjera”, ndërsa numrat serikë të fletëvotimeve janë përputhur me listat dhe evidencat e KQZ-së.
PZAP vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për rivotim apo përsëritje të procesit, duke konstatuar se zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me rregullat.



Të tjera
Ulutaş e Vakali biseduan për sigurinë në Kosovë
Distria e artë, ia siguron Kosovës medaljen në Kroaci
Izr@eli refuzon 23 kërkesa për ndihmë në G@za duke lënë miliona mjete strehimi të bllokuara