Qeveri e re apo zgjedhje të reja? Kadrijaj: Nuk mendoj se VV i ka numrat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar dje Glauk Konjufcën për të tentuar formimin e Qeverisë së re, pasi ai u votua si mandatar për kryeministër nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithëse tha se nuk bën koalicion dhe se i ka votat e Kurtit, pra 56, Osmani tha se Konjufca e bindi se mund ta bëjë qeverinë.

Në anën tjetër, ish partitë opozitare kanë shprehur qëndrimet e tyre të pandryshuara, se nuk e votojnë Konjufcën e asnjë mandatar nga VV.

Sipas tyre, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se e gjithë kjo është lojë e Kurtit për të fituar kohë.

Lidhur me atë se a do t’i bëjë numrat Konjufca apo vendi do të shkojë në zgjedhje, për Gazeta Blic ka folur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo tha se nuk beson se i kanë numrat.

“Mendim personal, e duke parë se s’ka angazhim, nuk mendoj që i kanë numrat”, tha Kadrijaj.

Mbetet të shihet nëse Konjufca do të arrijë t’i sigurojë edhe 5 vota, për t’i bërë 61, aq sa i nevojiten për t’u bërë kryeministër, apo vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.