Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbledhë sot kabinetin qeveritar në një mbledhje të rregullt që pritet të nisë në ora 11:00, ku në rend dite janë gjithsej 17 pika.
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, ekzekutivi do të shqyrtojë një sërë propozim-vendimesh me rëndësi institucionale dhe zhvillimore. Ndër çështjet kryesore është bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga kuadri i ZKM-së në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i themelimit dhe funksionimit të sistemit për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Kabineti qeveritar pritet të diskutojë edhe një propozim-vendim për t’i kërkuar Presidentes së Republikës autorizimin për Ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës.
Në mesin e pikave të tjera është edhe shqyrtimi preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të prekura nga projekti i zgjerimit të rrugës nacionale M25, në segmentin Prishtinë–Podujevë, si dhe çështje që lidhen me mandatin e Komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.




Të tjera
Pse duhet të hani ullinj çdo ditë
Kemi njoftuar BE-në, kufiri ynë është i sigurtë
Po zbatojmë ligjin për integrimin e strukturave, pa lënë qytetarët pa shërbime