Qeveria e re e Gjermanisë, e udhëhequr nga Friedrich Merz, duhet të marrë një rol udhëheqës në politikën e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të kontribuojë në zhvillimin e një qasjeje strategjike ndaj rajonit, vlerëson Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Lideri i demokristianëve gjermanë, Merz, bëri betimin në Bundestag më 6 maj, dhe u bë kancelari i dhjetë në historinë e Gjermanisë, pasi siguroi shumicën e nevojshme vetëm në rundin e dytë të votimit.
Sa i përket qasjes së Gjermanisë ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, Weber vlerëson se Berlini, në vend që të rifillonte me themel këtë proces, doli me propozimin franko-gjerman, çka çoi në “shkatërrimin e plotë të dialogut politik” dhe në dy marrëveshje që, sipas tij, nuk ekzistojnë në realitet.
Sipas Weberit, Qeveria e re e Gjermanisë duhet të ndërmarrë një “kthesë strategjike” ndaj Serbisë dhe ndaj politikës së regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që dialogu politik të mos fundoset.
Weber thotë për REL-in se mbetet për t’u parë nëse Gjermania ka apo po ndërton një strategji të përshtatshme të politikës së jashtme, por se me siguri do të shprehë shqetësime për “aktorët e tretë me ndikim të dëmshëm në Ballkan”.
Radio Evropa e Lirë: Z. Weber, si do ta përshkruanit strategjinë e politikës së jashtme të Qeverisë së kancelarit Merz? Si ndryshon ajo nga politikat e paraardhësve të tij, Olaf Scholz dhe Angela Merkel?
Bodo Weber: Është ende herët për të gjykuar. Me vizitat në Paris dhe Varshavë, që në ditën e parë të mandatit, si dhe me vizitën e përbashkët në Kiev, me homologët nga Franca, Britania dhe Polonia, kancelari Merz dërgoi një sinjal të fortë se Gjermania do të marrë një rol udhëheqës në kuadër të BE-së, në nivel global. Politika e qeverisë së re është përcaktuar që gjatë negociatave të koalicionit, në dritën e sjelljes së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe administratës së tij ndaj Ukrainës dhe BE-së, me theks të veçantë në forcimin e politikës së përbashkët të sigurisë së BE-së, bazuar në bindjen se SHBA-ja është tërhequr nga Evropa si partnere vlerash.
Megjithatë, hapat e parë, si vizita në Ukrainë dhe nisma e përbashkët BE-SHBA për armëpushim, të shoqëruar me deklarata se SHBA-ja mbetet partneri kryesor, rezultuan të pafrytshme, siç u pa kur Trump e braktisi nismën dhe u dorëzua para Vladimir Putinit. Do të shohim se si do të zhvillohet më tej.
Megjithatë, qeveria e re dhe kancelari i ri po theksojnë nevojën për një politikë më vendimtare në planin evropian dhe ndërkombëtar. Pyetja mbetet nëse do të kenë strategjinë e nevojshme.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mendoni se duhet të luajë Gjermania në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?
Bodo Weber: Gjermania duhet të marrë përsëri rolin udhëheqës në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të ndihmojë në krijimin e një politike strategjike për rajonin – diçka që BE-së i ka munguar për më shumë se dy dekada – përfshirë edhe nevojën urgjente për një kthesë ndaj Serbisë dhe një qasje më politike ndaj krizës në Bosnje.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni angazhimin e kësaj qeverie në kuadër të Procesit të Berlinit?
Bodo Weber: Ndryshe nga ardhja e qeverisë së mëparshme të Scholzit, kur nuk ishte e qartë nëse kancelari kishte ndër mend të vazhdonte me Procesin e Berlinit, kësaj here marrëveshja e koalicionit njofton qartësisht vazhdimin e tij. Pra, Berlini mbetet i përkushtuar ndaj këtij procesi.
Radio Evropa e Lirë: Si mund të qaset Gjermania ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, duke pasur parasysh kontekstin politik në BE dhe zhvillimet në rajon?
Bodo Weber: Aktualisht, kjo është e paqartë – ashtu si e gjithë politika ndaj Ballkanit Perëndimor. CDU/CSU [Unioni Demokristian/Unioni Socialkristian], gjatë kohës në opozitë, ka mbështetur konceptin e anëtarësimit të shkallëzuar, që, sipas meje, është një koncept i dështuar dhe, në fakt, një mënyrë për të refuzuar anëtarësimin e plotë, duke ofruar një status të dorës së dytë. Në negociatat për koalicion, socialdemokratët arritën ta neutralizojnë këtë koncept. Megjithatë, marrëveshja përmend nevojën për reformimin e brendshëm të BE-së, për të pranuar anëtarë të rinj – një kërkesë që ekzistonte edhe më herët, por pa sukses. Problemi kryesor i politikës gjermane është se, për tre dekada, nuk ka dhënë kontribut serioz në debatin strategjik për të ardhmen e BE-së dhe, rrjedhimisht, as për të ardhmen e zgjerimit.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mund të luajë Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht nën udhëheqjen e kancelarit Merz?
Bodo Weber: Qeveria e re konservatore përballet me trashëgiminë e dialogut politik që nisi kancelarja Merkel, me përkrahjen e deputetëve konservatorë. Nën Scholzin, në vend të një rivendosjeje të thellë të dialogut, pas episodit të rrezikshëm të shkëmbimit të territoreve, Qeveria gjermane ndërmori iniciativën franko-gjermane me një vullnet të pamjaftueshëm politik, dhe duke vazhduar politikën e dështuar të pajtimit ndaj regjimit të Vuçiqit. Rezultati ishte shembja e dialogut, dhe dy marrëveshje që, në fakt, nuk ekzistojnë.
Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash. Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e marrëdhënies së CDU-së me “partinë motër” SNS [Partia Progresive Serbe]. Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merz kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë, dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Vitin e kaluar, Gjermania dhe Franca e kushtëzuan mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A do ta mbajë Gjermania këtë qëndrim?
Bodo Weber: Ndryshe nga Parisi, Gjermania ka qenë më e butë në kushtëzimin për aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës. Nëse Berlini do të vazhdojë me këtë politikë për Asociacionin – në mungesë të një kuadri strategjik – mbetet për t’u parë, dhe do të varet nga ajo nëse do të ketë kthesë strategjike në politikën ndaj dialogut.
Radio Evropa e Lirë: Si mund të zhvillohet mbështetja bilaterale e Gjermanisë ndaj Kosovës me këtë qeveri – sidomos për sa i përket kushteve politike apo ndihmës për zhvillim?
Bodo Weber: Pres që marrëdhëniet bilaterale të mbeten të qëndrueshme. Me suksesin e socialdemokratëve, që kundërshtuan bashkimin e ministrisë së Zhvillimit me atë të Punëve të Jashtme gjatë negociatave për koalicion, u kufizua automatikisht mundësia për të ulur fondet për ndihmën zhvillimore në përgjithësi – përfshirë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një sinjal i rëndësishëm, veçanërisht në kohën kur USAID-i [Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar] është tërhequr, dhe disa vende të BE-së kanë ulur ndjeshëm ndihmën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë qasje mund të ketë Gjermania ndaj pranisë në rritje të aktorëve të jashtëm, si Rusia, Kina apo Turqia, në Ballkanin Perëndimor?
Bodo Weber: Gjermania, si deri tani, do të mbetet e shqetësuar nga veprimet e aktorëve të dëmshëm në Ballkan. Por, mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja, nën administratën Trump, do t’u bashkohet këtyre aktorëve që minojnë interesat e sigurisë dhe vlerave të BE-së në rajon. Vetëm përmes një politike vendimtare dhe strategjike të BE-së mund të përballohen me sukses këta aktorë – dhe për këtë nevojitet udhëheqje serioze nga Gjermania.
Të tjera
Rubio takim me Netanyahun pas sulmit izraelit në Katar
Trump: Urrejtja mes Putinit dhe Zelensky-t po zgjat luftën
ShBA, gjithmonë mike e popullit të Kosovës – do të vlerësojmë veprimet e Qeverisë në detyrë