Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pritjet janë që të dielën të votohet qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, por ende mungojnë disa vota për shumicën e nevojshme parlamentare.
Ajo e ka pranuar se ende nuk i kanë votat për Qeverinë “Kurti III”.
“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi deputetja.
Ajo shtoi se nuk ka pasur takime zyrtare mes partive, por ka pasur komunikime individuale me deputetë që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.
Kusari-Lila kritikoi LDK-në, duke thënë se partia e Lumir Abdixhikut nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim.
“LDK-ja nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim, nuk e kanë pasur problem që ta shkelin vetë fjalën e dhënë edhe në kuadër të këtij procesi. Sipas Abdixhikut, fjala e dhënë duhej të mbahej edhe për konstituim të organeve të Kuvendit… fjala e dhënë, nuk u mbajt u ndryshua”, tha ajo në Tëvë1.
Megjithë vështirësitë, Kusari-Lila mbetet optimiste se qeveria mund të votohet këtë fundjavë.
“Do të doja të kishim qeveri të dielën, jam optimiste me përvojë. Përvoja deri tash më ka treguar se përkundër vullnetit dhe dëshirës për të pasur funksionalitet të plotë të institucioneve të vendit ajo se nëpër çfarë kemi kaluar na ka treguar se nuk mund të jemi vetëm optimist dhe të japim njerëzve shpresë”, shprehi optimizëm ajo.
Por, në fund ajo deklaroi se edhe në rast se i kanë 61 vota, prapë “do të ishte një qeveri gati se të them e pakicës”.



Të tjera
Armend Zemaj: Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve pse i ka mashtruar për numrat – LDK nuk do të kërkojë mandatarin
KQZ shpall rezultatet përfundimtare – Këto janë komunat fituese dhe ato që shkuan në balotazh
Granit Xhaka ia dhuroi sot fanellën Ramiz Lladrovcit, dyshja u përqafua