​Qeveria po finalizon skemën mbështetëse për bizneset

Ministrja e Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se janë duke finalizuar një skemë të re mbështetëse për prodhuesit vendorë, e cila do t’i ndihmojë ata të përballojnë sfidat që sjell liberalizimi i tregut të energjisë.

Rizvanolli ka shkruar në Facebook se kjo skemë do të mbështetet me financim nga LuxDev – Agjencia e Zhvillimit të Luksemburgut, dhe do të përfshijë një seri masash për të përmirësuar efikasitetin energjetik dhe ulur koston e energjisë për bizneset kosovare.

Disa nga masat që do të ofrohen janë izolimi i ndërtesave për të përmirësuar përdorimin e energjisë dhe për të ulur humbjet, sistemet solare fotovoltaike (FV) për prodhimin e energjisë rinovueshme, sistemet solare termike për ngrohje të ujit, bateritë për sisteme solare FV për ruajtjen dhe përdorimin e energjisë në kohë të ndryshme, rregullatorët e fuqisë reaktive, të cilët ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë reaktive dhe rritin e efikasitetit të pajisjeve që përdoren nga bizneset”, ka shkruar ajo.

Ministrja Rizvanolli theksoi se kjo skemë do të redukojë kostot e energjisë, do të rrisë konkurrueshmërinë dhe do të sigurojë më shumë siguri për bizneset që operojnë në Kosovë. Ajo gjithashtu shtoi se kjo mbështetje është pjesë e një iniciative më të gjerë për të mbështetur prodhuese vendorët në periudhën e liberalizimit të tregut të energjisë, që sjell sfida të reja për sektorin privat.

Ky forum është pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat, një hap i rëndësishëm për krijimin e politikave që do të mbështesin bizneset në përballimin e sfidave të reja.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet angazhuar të jetë një partner i ngushtë i sektorit privat, duke siguruar masat dhe politikat e duhura për rritjen dhe zhvillimin e tij.